Aksioni në këtë zonë rurale rezultoi me arrestimin e dy personave, të cilët ishin të dyshimtë për kontrabandim mallrash.

Aksioni i planifikuar prej kohësh kishte si qëllim kontrollin e këtyre zonave dhe kapjen e personave të përfshirë në vepra kriminale, raporton KTV.

Mirëpo ky ishte vetëm një inskenim i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në kuadër të trajnimit 10- javorë për rreth 100 rekrutë të rinj që janë bërë pjesë e kësaj njësie.

Është hera e parë që ky program aplikohet nga Policia e Kosovës pasi në të kaluarën, trajnimet kanë qenë më të shkurtra.

Mirëpo gjatë 10 javëve trajnimi nga instruktorë të trajnuar nga profesionistë nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja, rekrutët e rinj kanë pasur sfida e ushtrime të shumta, që jo të gjithë kanë mundur t’u bënin ballë.

82 zyrtarë policorë, të premten, janë certifikuar për t’u bërë pjesë e Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës.