Një aksident trafiku ka ndodhur rreth orës 17:00 në magjistralen Prishtinë – Podujevë, më saktësisht në fshatin Siboc, raporton Llapi.info.
Në këtë aksident janë përfshirë një veturë dhe një këmbësor, ku për pasojë ky i fundit ka pësuar lëndime trupore.
Rastin për Llapi.info e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi. Sipas tij, viktima është dërguar në QKUK.
“Në ora 17:09, Policia është njoftuar për një aksident trafiku në fshatin Sibovc, ku një veturë ka goditur një person të moshuar. I lënduari është dërguar në QKUK. Policia është duke u marrë me rastin”, ka thënë Krasniqi.
Lajmin për Llapi.info e kanë konfirmuar edhe nga Qendra Emergjente e Podujevës.
Kujtojmë, vetëm dje në Kosovë kanë ndodhur 55 aksidente, 33 prej tyre kanë përfunduar me të lënduar.
Sipas pamjeve të siguruara nga Llapi.info, shihen edhe ekipet policore që kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po hetojnë shkakun e aksidentit./Llapi.info