Java e dytë e muajit shkurt në Podujevë është karakterizuar me incidente të ndryshme. Gjatë javës që tashmë lamë pas, një person është gjetur i vdekur në Parkun e Paqes e një person është therur me thikë, raporton Llapi.info
Kësisoj, në raportin e Policisë së Kosovës të dërguar në martën thuhet se të rreth orës 12:00, është raportuar se një i dyshuar moshë e mitur mashkull K/Shqiptar, me thikë në dorë ishte duke e ndjekur një person mashkull i panjohur për momentin. Policia ka arritur ta ndalojë dhe ta arrestojë të dyshuarin ku gjatë legjitimimit dhe kontrollimit i është konfiskuar një thikë. I dyshuari pas intervistimit në prani të punëtorit QPS, me vendim të prokurorit, është dërguar 24 orë në qendrën e mbajtjes.
Në po këtë ditë, një tjetër rast me thikë ka ndodhur në këtë Komunë. Rreth orës 13:00, një person është arrestuar në Podujevë të hënën, pasi kishte therur me thikë një person tjetër në rrugën “19 Qershori”. Viktima, si pasojë e lëndimeve të marra, është dërguar për tretman mjekësor në QKUK, ku gjendja e tij shëndetësore sipas mjekut kujdestar është e rëndë, thuhej në raportin 24 orësh të policisë. Nga i dyshuari është konfiskuar një thikë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes.
Të hënën në Podujevë është arrestuar edhe një person, ku pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht dhe ka rrahur bashkëshorten. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur të hënën rreth orës 19:07, në Podujevë. Siç thuhet në raport, si pasojë e rrahjes viktima ka pranuar tretman mjekësor në Qendrën shëndetësore të Podujevës. Ndërkaq, viktima është intervistuar në prani të punëtorit të QPS, kurse i dyshuari pas intervistimit me vendimin e prokurorit, dërgohet në qendrën e mbajtjes.
Mesditën e së martës një person është gjetur i pa shenja jete në Parkun e Paqes në Podujevë. Sipas PK-së, në afërsi të viktimës është gjetur një pistoletë.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një femër nga Podujeva është rrahur nga ish- i fejuari i saj. Si pasojë, e njëjta ka pësuar lëndime dhe është dërguar në QKUK për trajtim. ”Viktima femër K/Shqiptare ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull K-Shqiptar –ish i fejuari i saj. Viktima pas lëndimeve të marra është dërguar në QKUK për tretman mjekësor”, ka njoftuar PK. Sipas policies, nuk raportohet për të arrestuar.
Ndërsa, të enjten në Merdare është arrestuar një person i kërkuar nga Policia. Sipas PK-së, arrestimi i tij është bërë në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë-dega në Podujevë. I njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit në burgun e Smrekonicës. Në këtë ditë, një nxënës ka raportuar se është sulmuar nga një mësimdhënës në shkollën “Dëshmorët e Kombit” në Balloc të Podujevës. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
Kurse, të shtunën në fshatin Kërpimeh të Podujevës ka ndodhur një shpërthim i një mjeti i cili sipas Policisë së Kosovës ka shkaktuar rrezik të përgjithshëm.
“Ankuesi mashkull K-Shqiptar ka raportuar se vajza e tij femër K-Shqiptare derisa ishte duke pastruar oborrin e shtëpisë të cilën e kishte blerë, ka has në një mjet të dyshuar të pa shpërthyer i cili kishte eksploduar aksidentalisht”, thuhet në raportin e policisë.
Lëndime trupore kanë pësuar dy femra dhe dy meshkuj K-Shqiptar të cilët janë dërguar në tretman mjekësor.
Në vend ngjarje kanë dalë njësitë përkatëse policore dhe njësiti për deminim i PK-së./Llapi.info