Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit ndaj H.V i njohur me nofkën “Plaku i Bregut” nën dyshimin për tentim vrasjen e ndodhur më 13 qershor në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë.

Në aktvendim thuhet se në seancën e mbajtur më 20 qershor 2024, gjykatësi i procedurës paraprake, ka marrë vendim që masa e paraburgimit ndaj të dyshuarit t’i llogaritet që nga dita kur është arrestuar më 18 qershor 2024.

Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se gjatë seancës dëgjimore, prokurori ka elaboruar kërkesën e tij me shkrim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Vitijes si dhe ka thënë se masat e tjera nuk mund ta sigurojnë prezencën e të dyshuarit në procedurë.

Ndërsa, avokati mbrojtës ka kundërshtuar këtë masë duke thënë se prokuroria e ka zmadhuar të gjithë ngjarjen dhe se i mbrojturi i tij nuk ka pasur mosmarrëveshje me dikën ose qëllime për hakmarrje.

Sipas arsyetimit të aktvendimit të gjykatës, i dyshuari Vitija kishte deklaruar se i mbështet deklaratat e avokatit të tij, duke kërkuar nga gjykata për një gjykim të drejtë në lidhje me ato se çfarë ka bërë ai dhe jo se çfarë shkruajnë mediat për atë.

Megjithatë, gjykata ka konstatuar se kërkesa e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit është e bazuar për shkak të dyshimit se ai i ka kryer veprimet për të cilat dyshohet.

Gjykata ka konstatuar gjithashtu se i dyshuari është i dënuar nga Gjykata edhe për vepra të tjera penale.