Një muaj paraburgim i është caktuar B.H., i cili u arrestua ditë më parë në një restorant në kilometrin e parë të magjistrales Merdare – Podujevë, raporton Llapi.info.

Kështu ka vendosur Gjykata Themelore në Prishtinë– Departamenti për Krime të Rënda, nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “vrasje në tentativë.

“Gjykata Themelore në Prishtinë– Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit B.H. për shkak të dyshimit te bazuar se ka kryer veprat penale Vrasje në tentativë nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPRK-së dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit B.H. e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji. Gjykata ka konstatuar se masat tjera janë të pa mjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale, pasi që ekziston rreziku i ikjes së tij duke marr parasysh se ai përveç që ka ikur nga vendi i ngjarjes në datën kur ka ndodhur rasti, i njëjti nuk i është përgjigjur asnjëherë ftesave të policisë dhe vazhdimisht përkundër përpjekjeve të policisë, ai ka qëndruar në arrati, deri kur është arrestuar nga ana e policisë më datë 16.04.2021, andaj po të lihej në liri ekziston rreziku se do të ikte dhe do të pengonte zhvillimin e procedurës penale”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

I pandehuri B.H., dyshohet se me datë 06.10.2020, rreth orës 18:35 në rrugën “19 Qershori” në Podujevë, derisa ka qenë duke e drejtuar veturën e tij, e kishte penguar në shiritin qarkullues të dëmtuarin F.S., me ç ‘rast i pandehuri B.H., kishte dal nga vetura me armë në dorë, duke iu afruar veturës së të dëmtuarit F.S., dhe e kishte kërcënuar, ndërsa i dëmtuari H.G., duke kaluar atypari kishte ndërhyrë për ta larguar të pandehurin në këtë rast dhe në atë moment i pandehuri B.H., ia kishte drejtuar armën të dëmtuarit dhe kishte gjuajtur tre herë në të dëmtuarin, më ç ‘rast i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore./Llapi.info