Hana Jashari e lindur në Podujevë me 24.05.2010, është notuesja më e re në klubin e notit “Ilirida”.
Ajo është anëtarësuar në këtë klub në moshën 5 vjecare dhe që nga ajo kohë ka treguar suksese të larta, ka shkruar Bota Sot.
Edhe pse e pakonkurencë në moshën e saj, ajo ka arritur të dalë fituese në shumë gara të organizuara në Kosovë dhe jashtë saj, duke garuar me garues më të mëdhenj në moshë.
Në garën memoriale “Esmir Shala”, të mbajtur në qershor të vitit të kaluar, në Banjë të Malishevës, Hana është shpërblyer me medalje të dyfishtë, krol 50m e artë, dhe shpinë 50m e argjendtë, në kategorinë F.
Në garën “Kupa e Bifurkacionit”, të organizuar në Ferizaj, në gusht të vitit të kaluar, ajo është shpërblyer me medalje të argjendtë në shpinë 50m.
Në tetor ajo ka dyfishuar gjatësinë, duke dalë e dyta në 100m në stil të lirë, në kategorinë F.
Në Kampionatin e Republikës së Kosovës, organizuar gjithashtu vitin e kaluar, Hana është shpërblyer me medalje të artë në krol 50m.
Këtë vit Hana e ka vazhduar me gjatësi të dyfishuar, duke marrë pjesë në muajin janar në garën “Zahir Pajaziti”, dhe duke u shpërblyer me medalje të argjendtë.
Në shkurt të këtij viti, ajo bashkë me klubin “Ilirida” ka marrë pjesë në “Mimosa Cup”. Organizuar në Herceg Novi, ku është vlerësuar me pikë maksimale për moshat e reja.
Në qershor të këtij viti ajo ka marrë pjesë në garën e notit “Delfin Cup” organizuar nga Federata e notit në Shkup, ku gjithashtu është radhitur ndër notuesit më të mirë të rinj. Javën e kaluar, notuesja Hana Jashari ka marrë pjesë në kampionatin mbarëkombëtar të notit, organizuar në Durrës, ku është dalluar për teknikën e saj në not.
Hana është një emër i ri në fushën e notit, por që premton shumë. Edhe pse në moshë të re, ajo karakterizohet për seriozitetin dhe maturinë në këtë sport.
Përkushtimi i saj i madh në këtë sport e kanë bërë atë të dallohet dhe të vlerësohet edhe nga notues të njohur brenda dhe jashtë vendit.