Bisedimet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë mund ta marrin kahje ndryshe deri në fund të vitit. Kështu të paktën shkruajnë gazetat beogradase. E përditshmja “Novosti” në ballinën e sotme ia ka kushtuar një shkrimi të veçantë negociatave të Brukselit.
Sipas këtij mediumi, në bisedimet ndërmjet dy shteteve pritet të inkuadrohen edhe fuqitë e mëdha; SHBA-të, Britania e Madhe, Franca, Italia dhe Gjermania.
“… Janë duke u përpjekur për të zgjidhur çështjen e Kosovës deri në fund të vitit, në kurriz të Serbisë, dhe duke pasur parasysh mundësinë ndryshe të formatit të dialogut”, shkruan kjo gazetë.
Më tej, aty tregohet se edhe presidenti Aleksandar Vuçiç është në dijeni për këtë plan i cili mund të ndodhë së shpejti.
Ndërsa, ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq deklaroi se Perëndimi po e detyron Prishtinën të mbetet në pozitat e saj ekzistuese.
“Njerëzit duhet të jenë të përgatitur mirë për atë që do të marrin. Çfarë do të ndodhë nëse ka një sulm në veri të Kosovës? A jemi gati të reagojmë dhe të marrim pjesë? NATO-ja është deklaruar se do të konsiderohej një sulm ndaj Aleancës nëse dikush do të hyjë në Kosovë”, theksoi ai.