Forcat Speciale për Shpëtim të Policisë maqedonase po vazhdojnë kërkimet për dy policët kosovarë, të cilët kanë rënë në lumin Lepenc, teksa po udhëtonin me veturë zyrtare.
Kërkimet po zhvillohen përgjatë zonës kufitare Maqedoni-Kosovë, në afërsi të Bllacës.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Agim Nuhiu, që ka dalë në vendin e ngjarjes, për Radion Evropa e Lirë tha se kërkimet po bëhen në koordinim me autoritetet policore të Kosovës, përgjatë lumit Lepenc, ku dyshohet se rrjedha e ujit mund t’i ketë bartur trupat e policëve, në afërsi të pikës kufitare në Bllacë.
“Sot është dita e dytë që autoritetet e Maqedonisë, përkatësisht Policia Kufitare, në mënyrë të koordinuar me autoritetet e Kosovës, i ka zhvilluar kërkimet. Në këto momente po bëhen aktivitete për gjetjen eventuale të trupave të dy policëve kosovarë, nga njësitet speciale të Maqedonisë”, thotë Nuhiu.
“Kemi pikat ku dyshohet se eventualisht mund të jenë barikaduar trupat e kolegëve kosovarë”, thotë Nuhiu.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, i cili ka ndjekur për nga afër kërkimet së bashku me zëvendësministrin Nuhiu, për Radion Evropa e Lirë tha se rrjedha e ujit po i vështërëson kërkimet. Ai tha se kërkimet do të vazhdojnë derisa të gjenden trupat e policëve.
“Për shkak se në Kosovë tanimë forcat e FSK-së dhe qytetarë të ndryshëm po bëjnë kërkime në lumin Lepenc, dhe deri më tani nuk ka asnjë shenjë nga ata, atëherë dyshohet se lumi mund i ketë bartë trupat e policëve të Kosovës në pjesën e teritorrit e Maqedonisë. Tani në bashkëpunim me Policinë e Maqedonisë, ndjekim aktivitet e kërkim shpëtimit”, tha Suma.
Ndryshe, policët Malsor Shemsedin Dashi dhe Armend Mifail Trena janë zhdukur që nga mbrëmja e së shtunës, teksa ishin duke udhëtuar në rrugën Hani i Elezit-Kaçanik. Vetura e tyre ka rënë në lumin Lepenc.