Policia e Kosovës në raportin ditor ka bërë të ditur se gjatë ditës së djeshme, janë arrestuar dy persona zyrtarë në fshatin Bellosh të Podujevës.
Në lidhje me këtë, Llapi.info ka kontaktuar me komandantin e Policisë në Podujevë, Bikim Bislimi i cila tha se nuk është në kompetencë të Stacionit Policor të Podujevës të jepen detaje në lidhje me arrestimin e dy personave zyrtarë.
“Nuk është në kompetencë të Stacionit në Podujevë të jepen detaje në lidhje me arrestimin e dy personave. Nuk është kompetence e jona sepse arrestimi është bërë nga Njësitet tjera të Policisë së Prishtinës” ka thënë ai.
Po ashtu Llapi.info ka kontaktuar edhe me Zëdhënësin e Policisë së Kosovës, Baki Kelani por as ky i fundit nuk ka dhënë detaje në lidhje me arrestimin e dy personave zyrtarë, i cili ka ndodhur dje rreth orës 14:50 minuta.
“Nuk jam i informuar” ka thënë shkurt Kelani.
Kujtojmë, se në raportin e Policisë thuhet “Fsh. Bellosh, Podujevë 29.05.2018 – 14:50. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj K-Shqiptarë me dyshimin se të njëjtit kanë keqpërdorur detyrën zyrtare. Me urdhër të prokurorit të dyshuarit dërgohen në mbajtje.”