Bindjet politike i kanë lanë pa rrugë të asfaltuar banorët në fshatin Repë të Podujevës, transmeton Llapi.info
Banorët e kësaj ane thonë se kur ka të reshura, kjo rrugë bëhet e pakalueshme. Muharrem Rrustemi thotë për KTV se nënën e tij e ka bartur me batanije në këmbë për ta dërguar te mjeku.
“Nuk po mundet me lëshu këmbën, me batanije e kemi çuar deri atje poshtë. Kishim mujt edhe me traktor por i përkeqësohet edhe më shumë gjendja” ka thënë ai.
Tash e dhjetë vjet kësaj familje dhe 100 banorëve të tjerë, të kësaj lagjeje nga kryetari Agim Veliu është premtuar asfaltimi i rrugës 1 kilometershe, por deri tash premtimi nuk është realizuar.
Shkak i mos asfaltimit sipas banorëve, është fakti se banorët nuk mbështesin LDK-në.
“Na ka premtue gjithë, jo na e kryejmë rrugën, para zgjedhjeve çdo herë na premtojnë” ka thënë Fadil Rrustemi për KTV.
Për shumicën e banorëve bujqësia është e vetmja punë që sigurojnë ekzistencën. Ndërsa, vërshimet këtë herë kanë shkaktuar dëme në këtë lëmi.
Por, në Komunën e Podujevës thonë se rruga e cila ka mbetur e pa asfaltuar nuk ka mbetur për shkak të votës.
Hamdi Jaha Drejtori i Planifikimit Urban në Podujevë thotë se vitin e ardhshëm do të shikohen mundësitë për asfaltimin e kësaj rruge. Ndërsa, prioritet në komunën e Podujevës sipas tij, është se ndërtimi i rrugëve në bazë të numrit të banorëve.
Sidoqoftë, mungesa e rrugës i ka shtyrë këta banorë të i mendojnë mundësinë për braktisjen e shtëpive në këtë vend.