Shtatë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti tjetër të ndodhur këtë të hënë, në magjistralen Prishtinë-Gjilan.

Në këtë aksident, siç bën të ditur Policia e Kosovës, janë përfshirë dy vetura, përcjell Klankosova.tv.

”Rreth orës 16:00, është raportuar për një aksident trafiku të ndodhur në magjistralen “Prishtinë – Gjilan”, respektivisht në afërsi të pendës së liqenit të Badocit. Informacionet e para bëjnë të ditur se në aksident janë përfshirë dy vetura, ndërkaq shtatë persona janë lënduar, të cilët janë dërguar në qendrat më të afërta mjekësore si dhe në QKUK – Prishtinë, për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor. Njësia rajonale e trafikut ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij aksidenti”.

kurse. dy persona kanë mbetur të lënduar, si pasojë e një aksident trafiku që ndodhi pasditen e kësaj të hëne në fshatin Baran të Pejës.

Në këtë aksident u përfshinë dy vetura, dhe rastin për Klankosova.tv, e ka konfirmuar Fadil Gashi, zëdhënës i policisë për rajonin e Pejës.

”Rreth orës 16:30 policia është njoftuar për një aksident në fshatin Baran të Pejës, ku janë përfshirë dy vetura dhe janë lënduar dy persona. Të lënduarit janë dërguar në Emergjencën e Spitalit të Pejës dhe njëri prej tyre është në gjendje më të rëndë shëndetësore”.