Ndonëse kishte ligjëruar si asistent për tetë vite me radhë në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës, Faton Maliqi nuk arriti që të fitojë pozitën e mësimdhënësit në këtë institucion.
I njëjti po dyshon që i gjithë konkursi i 22 tetorit të vitit 2019 ka qenë i kurdisur. Pas shumë kërkesave që ua dërgoi Dekanatit e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, tashmë Maliqi ka vendosur që për këtë çështje t’iu drejtohet edhe institucioneve të drejtësisë.
“Natyrisht unë do t’i drejtohem edhe prokurorisë për këtë dhe gjykatës për shkak që mendoj që ka fakte të shumta është e pamundur t’i trajtoj dikush brenda këtij Universiteti”, ka thënë Maliqi për T7.
Sipas tij, ai ka qenë personi i duhur për këtë pozitë pasi që kishte qenë asistent pikërisht për këto lëndë.
“Në vend që t’i hapin disa pozita e kanë hapë vetëm një pozitë ndërsa lëndët e tjera i fshehin dhe i ruajnë për kandidatë të caktuar”, thotë ai.
I njëjti ka përfunduar doktoraturën në një nga universitetet më të njohura në Francë.
Studimet e tij i kishte financuar ambasada franceze, në mënyrë që të ndihmojnë Fakultetin e Inxhinierisë me kuadër shtesë.
Madje nga kjo ambasadë kanë reaguar kur kanë kuptuar se Maliqi nuk është punësuar në FIEK.
“Unë jam e shqetësuar të konstatoj se një profesor asistent për një periudhë prej 8 vjet, posedon doktoraturë në një nga universitetet kryesore të telekomunikacionit në Evropë nuk mund të vazhdojë karrierën e tij në universitet. Do të isha mirënjohëse për vëmendjen që do t’ia kushtonit rastit të z.Maliqit…” thuhet në letrën e Ambasadës Franceze drejtuar Rektoratit.
E nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës kanë konfirmuar që kanë pranuar një letër të tillë. Megjithatë të njëjtit vlerësojnë që nuk ka pasur shkelje në konkursin ku Maliqi nuk u pranua si mësimdhënës.
“Do të punojmë që në konkurset e radhës të ketë mundësi që Faton Maliqi të inkorporohet si pjesë e stafit” kanë thënë nga Rektorati për T7.
Ndërsa dekani i Fakultetit të Inxhinierisë, Enver Hamiti ka arsyetuar refuzimin e ankesës.
“Senati ka vendos në përputhje të plotë me propozimin që ka dhënë Komisioni vlerësues në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK). Propozimi në FIEK është aprovuar pas shqyrtimit të Raportit në formë të shkruar nga Komisioni vlerësues i FIEK-ut, si dhe refuzimit të ankesës së kandidatit nga Komisioni i ankesave” ka thënë ai.
Ndërkohë është raportuar se ka drejtime në kuadër të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike që rrezikojnë të mbyllen si pasojë e mungesës së stafit akademik.