Kandidati i PDK’së për kryetar të Podujevës, Naim Fetahu, ka reaguar për mospjesmarrje në debatin në Pressing.
Përmes një postimi në Facebook, Fetahu tha se janë dëmtuar qytetarët llapjanë sepse nuk do ta dëgjojnë programin e tij.
Reagimi i plotë:
Televizioni “T7”, respektivisht kryeredaktori dhe drejtuesi i emisionit “Pressing”, Leonard Kërquku, paska vendosë me e “vulosë” garën për të parin e Podujevës, qysh në ditën e parë zyrtare të fushatës zgjedhore, duke ftuar në debat vetëm dy kundërkandidatët e mi, Nexhmi Rudarin dhe Shpejtim Bulliqin.
Më duhet ta pranoj që kjo është më e pakta që e kam pritur nga Leonard Kërquku. E kam njohur dhe mbajtur për një gazetar shumë të drejtë, objektiv dhe me etikë të lartë profesionale.
Leonard, po të drejtohem personalisht këtë herë. Po, jam i prekur që nuk më ke ftuar. Jo vetëm pse këtë ma garanton ligji për zgjedhjet dhe hapësirën e barabartë mediale, por sepse programi që kemi punuar shumë për ta përpiluar, ia ka vlejtur që të dëgjohet tek publiku.
Leonard, shkurtimisht, ma lejo vetëm ta rikujtoj kë ke ftuar dhe kë jo në emision.
Ke ftuar Nexhmi Rudarin, pjesë të një qeverisje 20 vjeçare në Podujevë. Dhe, Shpejtim Bulliqin, po ashtu pjesë e një sistemi që llapjanët i ka lënë pa shkolla e arsim cilësor.
Dhe, kë nuk ke ftuar? Një humanist, një ish ushtar të UÇK-së, një aktivist politik që për 20 vjet nuk ka rreshtur asnjëherë që të punoj në përmirësimin e jetës dhe avancimit të kauzave të qytetarëve llapjanë.
Me aq sa kam mundur dhe sa kam pasur mundësi – por kam punuar pa keqpërdorur asnjëherë asnjë centë të vetëm të llapjanëve. E këtë nuk mund ta them për dy kundërkandidatët e mi.
Leonard, sonte, ju nuk më dëmtuat mua personalisht. Ju dëmtuat qytetarët llapjanë sepse ua mohuat që ta dëgjojnë programin e opozitës së vetme në Podujevë, dhe në vend të kësaj ftuat vetëm drejtorët e Agim Veliut.
Sidoqoftë, Leonard, me këtë nuk më keni dekurajuar mua, as aktivistët tanë, e aq më pak llapjanët.
Llapjanët, Leonard, na njohin të gjithëve neve si individë, por, akoma më e mirë e dijnë kur dikush mundohet që t’i mashtroj dhe t’ua orientoj mendimin dhe opinionin.
Prandaj, unë nuk dua të zgjatem më shumë. Vetëm dua të të them që as nuk të jam hatëruar.
Nëse ju, si profesionist i gazetarisë, jeni në gjendje që t’ia falni vetes këtë veprim, të cilin më së paku po e quaj shkarje profesionale, sepse nuk dua të mendoj që politikën redaktuese ua ka ndikuar dikush apo diçka tjetër, atëherë i falur je edhe prej meje.
Shëndet dhe jetë të gjatë, mik!
P.S. Nuk je i detyruar që ta lexosh as këtë reagim gjatë debatit të sontëm me dy “Liderët e Mëdhenj” të Llapit.