Matja e të rrahurave të zemrës gjatë pushimit mund të ndihmojë në parashikimin e problemeve me zemër te femrat, pavarësisht aktivitetit fizik dhe faktorëve të tjerë të rrezikut, pohon studimi i ri.

Në këtë studim kanë marrë pjesë 129.135 në postmenopauzë, të cilat deri atëherë nuk kishin pasur probleme me zemrën, transmeton Telegrafi.

Këtyre femrave i është matur numri i të rrahurave të zemrës gjatë kohës kur ato kanë pushuar.

Para fillimit të studimit janë marrë parasysh edhe faktorët e rrezikut (shtypja e lartë e gjakut, niveli i lartë i kolesterolit në gjak, pirja e duhanit, konsumimi i alkoolit etj.) të cilët mund të ndikojnë në shëndetin e zemrës si dhe në numrin e të rrahurave të zemrës në minutë.

Këto femra janë përcjellë për tetë vite dhe janë shënuar të gjitha vizitat mjekësore dhe problemet me zemër. Gjatë kësaj periudhë nga numri i përgjithshëm (129.135), probleme me zemër kanë pasur 2.281 femra, ndërsa 1.877 prej tyre kishin pësuar infarkt të zemrës.

Shkencëtarët kanë zbuluar se femrat të cilat kishin numër më të madh të të rrahurave të zemrës në minutë (më shumë se 76 rrahje në minutë) gjatë kohës kur ato pushonin, ishin të prira që të zhvillonin probleme me zemrën, në krahasim me fermat të cilat kishin numrin më të ulët të rrahjeve në minutë (62 rrahje në minutë ose më pak) gjatë kohës kur pushonin.

Më tutje është treguar se lidhja ndërmjet numrit të të rrahurave të zemrës gjatë pushimit dhe problemet e zemrës nuk varen nga aktiviteti fizik, ndërsa këto probleme më shpesh shfaqen ndërmjet moshës 50 dhe 64 vjeçare.