Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, në një diskutim me drejtorët e Arsimit nëpër Komunat e Kosovës i ka njoftuar ata për mbarëvajtjen e mëtutjeshme të procesit mësimor, duke iu referuar vendimit të fundit të Qeverisë për masat e reja anti-COVID.
Edhe pse fillimisht u tha se vetëm çerdhet do të vazhdojnë punën sikur deri tash, në një njoftim për media të MASHT-it, të mërkurën, është bërë e ditur se pos çerdheve e kopshteve, edhe klasat përgatitore që mbajnë mësim në shkolla fillore dhe klasat 1 deri 5 do të vazhdojnë mësimin me praninë fizike të nxënësve në institucione nga data 12 prill.
Ndërkaq për klasat 6 deri 9 nga shkollimi i mesëm i ulët, si dhe klasat 10 deri 12 nga shkollimi i mesëm i lartë, mësimi do të mbahet me platformat online.
Bëhet e ditur se në këtë diskutim, komunat kanë shprehur shqetësimin për tërheqjen e mjeteve nga buxheti i komunave prej përmbaruesve privat, duke u thirrur në obligime të Kontratës Kolektive.
Në komunikatë thuhet po ashtu se shqetësim tjetër është që DKA-të, nuk po arrijnë të kryejnë obligimet e parapara sipas Master Planit për zhvillimin e mësimit në kushte pandemie, ku ndër të tjera përfshihet edhe mirëmbajtja, dezinfektimi dhe pastërtia. Sipas MASHT-it, kjo pasi buxhetin prej 5 milion euro, qeveria e kaluar e ka shfrytëzuar për pagesën shtesë të mësimdhënësve.