Katër nxënësit të cilëve Policia u gjeti armë, derisa ndodheshin në autobusin që po i dërgonte ata në ekskursion, janë nxënës të një shkolle fillore në Podujevë.

Tre thika, një boks i hekurit dhe një sasi e vogël e substancave të dyshuara narkotike janë gjetur te tre nxënës të një shkolle fillore të Podujevës. Këto mjete, nxënësve 17 vjeçarë, gjegjësisht 15 vjeç njëri prej tyre, ata po i bartnin me vete derisa ndodheshin rrugës për në një ekskursion.

Autobusi me nxënës podujevas të klasës së nëntë fillore, është ndalur të enjten rreth orës 09:00 të mëngjesit në Arllat të Drenasit, shkruan Gazeta Express.

Pas një kontrolli, patrulla policore e Drenasit, ka gjetur mjetet e dyshimta tek të miturit L. H (2002), A. M. (2000) dhe Sh.T. (2000), raporton Gazeta Express. Njëri prej tyre, pjesëtarë i komuniteti ashkali.

“Gjate kontrollit ju janë gjetur tri armë të ftohta (thika) , një boks i hekurit dhe një sasi e vogël e substancave të dyshuara narkotike ku të gjitha mjetet e dyshuara janë konfiskuar edhe personat e dyshuar janë shoqëruar në stacion për procedura, të gjitha procedurat janë kryer me urdhër të prokurores për të mitur, si dhe ne konsultim edhe me gjyqtaren kompetente”, thuhet në një raport të policisë që e ka siguruar Gazeta Express.

“Lidhur me substancën e dyshuar narkotike është njoftuar edhe njësia përkatëse e antidrogës në Prishtinë”, thekson i njëjti raport.

Aty tregohet se të gjitha palët janë intervistuar në prezencë te avokatit dhe punëtorit të qendrës për pune sociale, derisa me urdhër të prokurorit për të mitur janë hapur dy raste “Mbajtje në pronësi, “Kontroll, posedim të paautorizuar të armeve si dhe posedim i substancave narkotike”.

Rastin, Policia e Kosovës e ka njoftuar edhe në raportin e tyre 24 orës.

“Njësiti policorë pas një informate ka ndaluar autobusin, i cili ishte duke transportuar nxënës në një ekskursion. Gjatë kontrollit të pasagjerëve tek 3 të dyshuar, dy meshkuj K-Shqiptar dhe një K-A shkali (nxënës) janë gjetur dhe konfiskuar: 3 thika, një boks metali si dhe një sasi e vogël e substancës narkotike”, ka njoftuar PK-ja.

Me urdhër të prokurorit rasti ka shuar në procedurë të rregullt, thekson raporti.