Objekti i tanishëm i Komunës së Podujevës pritet të shndërrohet në bibliotekë të qytetit. Krejt kjo, pasi që në objektin ku ishte biblioteka është rrënuar duke e mundësuar ndërtimin dhe asfaltimin e “Rrugës së Xhamisë”, njofton Llapi.info
Për këtë, Komuna ka vendosur që derisa të ndërtohet objekti i ri i bibliotekës, e njëjta të zhvendoset përkohësisht në objektin ekzistues të administratës komunale.
Shumë shpejt Komuna e Podujevës pritët të marrë përkohësisht epitetin e bibliotekës së qytetit. Të gjitha librat do të zhvendosen në këtë objekt.
Edhe në Komunën e Podujevës thonë për Llapi.info se rrënimi i objektit, ku ka qenë e vendosur edhe biblioteka e qytetit është bërë për ndërtimin e “Rrugës së Xhamisë”.
“Pas rrënimit të objektit të vjetër administrativ, në të cilin ka qenë e vendosur edhe biblioteka e qytetit, fondi i librave është duke u ruajtur në një vend të sigurt. Biblioteka e qytetit, deri në ndërtimin e objektit të ri, do të transferohet përkohësisht në objektin ekzistues të administratës komunale”, ka deklaruar zëdhënësi i Komunës, Nazmi Elezi.
Derisa nuk janë dhënë detaje se kur pritet të fillojë ndërtimi i objektit të bibliotekës, deklaron se zhvendosja e librave do të bëhet së shpejti.
“Kjo do të ndodhë shumë shpejt, menjëherë pasi administrata komunale të zhvendoset në objektin e ri, ku aktualisht janë duke u kryer disa punë në bazë të vërejtjeve të komisionit për pranim teknik”, tha Elezi për Llapi.info.
Ndërkohë, zvarritja e funksionalizimit të administratës së re është duke vazhduar, derisa punimet kanë filluar para shtatë vitesh, ndërsa puna ishte paraparë të filloj në vitin 2013.
E për rrënimin e bibliotekës së vetme publike në Podujevë, kritika kanë dhënë këshilltarët opozitarë. Madje, Lëvizja Vetëvendosje në këtë Komunë pati ndërmarrë një aksion duke shpërndarë libra për nxënësit në sheshin ‘Ali Ajeti”.
Sipas këshilltares së këtij subjekti politik, Adelina Stublla, rinia e Llapit nuk kanë bibliotekë për më shumë se pesë muaj, teksa siç thotë ajo, punëtorët paguhen pa kryer punë fare.
“Kemi ngritur edhe si çështje në seancë, por nuk është marrë asnjë gjë për të rinjtë llapjanë. Kështu që të rinjtë qe pesë muaj janë pa bibliotekë librat i kanë dërguar në shkollën “Fan S. Noli”, kurse punëtorët marrin pagën pothuajse që pesë muaj pa kryer punë fare”, pati deklaruar ajo në këtë aksion, derisa edhe kanë vendosur një baner në vendin ku është rrënuar objekti i ish-komitetit, e që në të ishte edhe biblioteka.
Në anën tjetër, i pari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, në debatin publik me qytetarë është shprehur tejet i lumtur me rrënimin e këtij objekti.
“Podujeva pa bibliotekë, jam shumë i lumtur që ai objekt është rrënuar. Në atë pjesë është bërë ndërtimi i rrugës buzë lumit Llap e cila i hap rrugë ndërtimit të projektit madhor, ‘Bulevardit të Dëshmorëve’”, pati thënë Veliu.
Ndryshe, në bazë të raportit “Statistikat e Kulturës” të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, deri në fund të vitit 2017-s kjo bibliotekë kishte rreth 26 mijë libra. Derisa sipas statistikave çdo vit pasurohet me rreth 2 mijë tituj të rinj të librave./Llapi.info