Partia e Ballit Kombëtar Demokrat në Podujevë, me anë të një reagimi ka akuzuar të parin e ekzekutivit, Ramush Haradinaj, që sipas OBKD, po e diskriminon rajonin e Llapit, njofton Llapi.info

Sipas reagimit të lëshuar nga kjo parti, Haradinaj po lartëson dhe po nderon vetëm dëshmorët e Dukagjinit, ndërsa po i harron ata llapjanë.

Mirëpo, sipas OBKD, diskriminimi që i bëhet Podujevës vërehet edhe në punimet në zgjerimin e rrugës nacionale.

“Diskriminimi po i bëhet edhe luftës heroike të Llapjanëve, e cila njihet për traditën dhe mbrojtjen e çështjes dhe kufijve të Shqipërisë Etnike, jo vetëm në periudhën e fundit të luftës, por gjatë gjithë historisë, prandaj mendoj që mosrespektimi i dëshmorëve të kombit në mënyrë të barabartë, krijon një lloj ndasie mes luftëtarëve dhe dëshmorëve të kombit”, thuhet pos tjerash në reagim.

Më poshtë reagimi i plotë pa ndërhyrje:

Ramush, Llapi nuk është Kosovë, por është Shqipëri!!

Kryeministri Haradinaj është duke diskriminuar shumë krahinën e Llapit dhe Zonën Operative të Llapit (ZOLL), e cila është lënë pas dore jo vetëm për zhvillim ekonomik, ku gjithçka sot lidhet vetëm me rrafshin e Dukagjinit dhe ato pjesë tjera, ndërsa në Podujevë ku një rrugë e cila ka tri vite që ka filluar dhe ende nuk ka përfunduar e që është fjala për magjistralen Prishtinë-Podujevë, mirëpo diskriminimi shkon edhe përtej çështjes ekonomike.
Diskriminimi po i bëhet edhe luftës heroike të Llapjanëve, e cila njihet për traditën dhe mbrojtjen e çështjes dhe kufijve të Shqipërisë Etnike, jo vetëm në periudhën e fundit të luftës, por gjatë gjithë historisë, prandaj mendoj që mosrespektimi i dëshmorëve të kombit në mënyrë të barabartë, krijon një lloj ndasie mes luftëtarëve dhe dëshmorëve të kombit.

Pra, kryeministri po donë gjithçka që ta lidh vetëm me rajonin e vet, ku brenda një viti, Haradinaj ka vizituar afër 200 herë varrezat e dëshmorëve në Gllogjan.

Por, le të ma thotë kryeministri se kur ka vizituar për herë të fundit varrin e komandantit të parë të UÇK-së, Zahir Pajazitit, kur ka vizituar varrin e Ali Ajetit që i printe Çetës së Llapit, të Afrim Zhitisë, Fahri Fazliut, Agron Rrahmanit, Ilir Konushevcit, Hasan Ramadanit, Hakif Zejnullahut, Bahri Fazliut e shumë tjerë, të cilët ishin prijësit e parë të krijimit të UÇK-së.
Kryeministër, je duke zhgënjyer me këto ndasi që po i bën. Mos mendo që qytetarët nuk i shohin këto, prandaj bëj thirrje që ashtu siç po vepron me rajonin nga ti vjen, vepro me gjithë territorin e Republikës së Kosovës, sepse edhe ne jemi pjesë e kësaj toke, edhe ne kemi dhënë gjak, djersë e punë, që sot Kosova të jetë e lirë.

Po e përmbyllë me poezinë e poetit Ali Podrimaj i cili ka thënë dhe ka pasur të drejtë:
Llapi nuk kalohet në këmbë
Në këmbë, nuk i bihet Llapit.