OJQ “Sundimi i Demokracisë në Kosovë”, së bashku edhe me banorë të Orllanit dhe Ballabanit, sot kanë organizuar një aktivitet për vendosjen e disa tabelave informuese në drejtim te kufirit në Mutivodë, njofton Llapi.info.
Ky aktivitet është bërë me qëllim lehtësimi për mërgimtarët, në orientimin për rrugën më të shkurt për në pikë kufitare në Mutivodë.
“I pari është që të orientojmë bashkatdhetarët tanë në rrugën më të shkurt deri në pikën kufitare në Mutivodë, dhe i dyti është të sensibilizojnë institucionet përkatëse që te bëjnë më shumë për orientimin dhe informimin e bashkatdhetarëve tan në të gjitha pikat kufitare dhe të behet përpjekje për gjetjen e mundësive për hapjen e pikave te reja kufitare ku njëra nder to mund të ishte edhe kufiri ne fshatin Bervenik të Podujevës”, thuhet në njoftimin për media.
Kjo OJQ thotë se edhe pse për çdo vit dihet që fluksi i bashkatdhetarëve tanë është shumë i madh në muajt korrik dhe gusht, institucionet e Kosovës nuk po ndërmarrin hapa konkretë që do të lehtësonte dhe shkurtonte pritjet e mërgimtarëve në pikat kufitare.
“Ministria e Diasporës por edhe institucionet tjera organizojnë takime me bashkatdhetarë ku fatkeqësisht ato takime i përdorin vetëm për të vendosur kontakte me bashkatdhetarë qe me vonë t’i përdorin për elektorat. Kjo vërtet është e mjerueshme”, thuhet në fund të njoftimit./Llapi.info