Organizatat joqeveritare kanë kërkuar nga Komuna e Podujevës që kryetarët e fshatrave të kësaj Komune të jenë apolitikë, pas miratimit të vendimit në Kuvend për përzgjedhjen e tyre, shkruan Llapi.info.

Kjo rregullore i hapë rrugë zgjedhjes së kryetarëve të rinj nëpër fshatra, lagje dhe zona tjera të Komunës së Podujevës, derisa për këtë, transparencë të madhe po kërkojnë OJQ-të.

Drejtori i rrjetit të OJQ-ve “Demokracia Fillon Këtu”, Shemsi Jashari, duke përkrahur nismën e Kuvendit, ka thënë për Llapi.info se deri më tani, sipas tij, kryetarët e fshatrave kanë qenë të emëruar politikë nga ish-pushteti i LDK-së. Jashari, me këtë rast, ka thënë se do ta monitorojnë procesin e zgjedhjeve të tyre, ndërkohë që ka shtuar se tani përfaqësuesit e tyre, siç ka thënë ai, duhet të jenë apolitikë.  

“Si shoqëri civile aktive në Komunën e Podujevës kemi qenë shumë aktivë mbi 3 vite në lobimin për miratimin e Rregullores për organizimin dhe bashkëpunimin e Komunës me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane në territorin e Komunës së Podujevës. Tani jemi të kënaqur për nismën për vënie në diskutim publik të propozim Rregulloren për organizimin dhe bashkëpunimin e Komunës me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane në territorin e Komunës së Podujevës. Është shumë e mirëseardhur pas aq shumë vonesave që qëllimisht pushteti i kaluar LDK-ja, i kishte bërë dhe arsyeja pse ishin vonuar dhe nuk ishte proceduar kjo rregullore ishte fakti se të gjithë përfaqësuesit e fshatrave ishin te emëruar politikë dhe të dëgjueshëm të pushtetit”, është shprehur Jashari.

Më tej, Jashari ka shtuar se të gjithë ata që do të emërohen në krye të tyre, siç ka deklaruar Jashari, duhet të angazhohen për atë zonë që zgjidhen.

“Tashmë, vënia në diskutim publik e kësaj rregullore jep shpresë se do të miratohet shpejt dhe po ashtu zgjedhja e këshillave të fshatrave të bëhet në mënyre të rregullt dhe sipas vullnetit të banorëve. Këta përfaqësues që do të zgjidhen duhet të jenë apolitikë dhe të jenë të angazhuar për të mirën e lagjes së vet. Këta këshilla duhet të kenë gjithëpërfshirës të lagjeve dhe banorëve pa dallim dhe të jenë aktivë për planet, projektet dhe investimet kapitale që komuna i bënë në lokalitete të ndryshme të komunës. Ne shpresojmë të jemi pjesë aktive e komisionit për zgjedhjen e këtyre këshillave dhe do ta monitorojmë aktivisht secilën fazë të procesit”, ka thënë Jashari.

Ndërsa, drejtori i QJQ-së, “Sundimi i Demokracisë në Kosovë”, Rexhep Zeka, ka deklaruar për Llapi.info se rregullorja që i hapë rrugë zgjedhjes së kryetarëve të rinj nëpër fshatra, sipas tij, është njëri ndër aktivitetet më të rëndësishme në këtë Komunë.

Me zgjedhjen e këshillave te fshatrave dhe vendbanimeve urbane, qytetari është me afër vendimmarrjes, sidomos për prioritetet në infrastrukturë, ku banorët e lokaliteteve përmes këtyre këshillave munden t’i përzgjedhin vetët projektet kapitale për fshatin, vendbanimin e tyre. Udhëzimi Administrativ që nga viti 2008 obligon komunat të hartojnë dhe miraton rregulloren për zgjedhjen e këshillave te fshatrave, fatkeqësisht komuna e Podujevës deri me tani nuk e ka kaluar ne kuvend ketë rregullore. SDK po ashtu  ka me shumë se dy vite që në forma te ndryshme përmes tryezave dhe kërkesa publike ka kërkesa nga institucionet komunale qe kjo rregullore të kaloj në kuvend. Andaj, ne na gëzon fakti që kjo rregullore është ne dëgjim publik dhe presim që të vazhdojë procesi deri në përmbyllje, pra deri në përzgjedhjen e këshillave lokal në fshatrat e parapara”, ka thënë Zeka.

Zeka, më tej, ka shtuar funksionimi i kryetarëve të fshatrave, deri më tani, siç ka thënë ai, ka qenë i papranueshëm.

“Sfidë do te jetë bashkimi i disa fshatrave në nja këshill. U.A obligon komunat qe sipas numrit te banorëve te reflektohet ne numrin e këshillave, ku komuna e Podujevës nuk mund te ketë ma shumë se 30 këshilla. Funksionimi i deri tanishëm i kryetareve te fshatrave vërtet ka qen i papranueshëm pothuajse për secilin qytetar të komunës së Podujevës, përveç që ka qenë i politizuar pra në shumicën e rasteve kryetarë të fshatrave kanë qenë kryetaret e degës së një partie, nuk ka pas asnjëherë zgjedhje të kryetarëve, por emërime. Emërimet kanë shkuar aq larg saqë nëse ka ndërruar jetë kryetari i fshatit trashëgimia i ka mbet djalit te tij si kryetar fshati, kjo vërtet ka qen dhe është e pa pranueshme për, shto këtu edhe mungesën e transparencës dhe llogaridhënies te kryetarëve të emëruar”, është shprehur Zeka.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, ka thënë për Lapi.info se udhëzimi i ri nga Ministria e Pushtetit Lokal nuk lejon politizim të kryetarëve të fshatrave.

“Ne jemi zotuar për depolitizim të kryetarëve të fshatrave dhe tash me Udhëzimin e ri Administrativ nga ana e Ministrisë së Pushtetit Lokal, kryetarët e fshatrave nuk guxojnë të jenë pjesë e strukturave partiake. Andaj, ne do të angazhohemi maksimalisht që të respektojmë këtë kriter në përpikëri. Kryetarët e fshatrave duhet të jenë përfaqësues të denjë të interesave të banorëve ku jetojnë dhe jo të përfaqësojnë interesa të një grupi të caktuar politik. Ne do të punojmë që kjo të mos na ndodhë në asnjë fshat dhe në koordinim të plotë me këshillat e fshatrave të përzgjedhjen kryetarët”, është shprehur Zhitia.

Ndryshe, Kuvendi i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e fundit të mbajtur, ka miratuar propozim vendimin për vënie në diskutim publik të propozim Rregullores për organizimin dhe bashkëpunimin e Komunës me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane në territorin e Komunës së Podujevës./Llapi.info