Rrejti i Organizatave Joqeveritare Demokracia Fillon Këtu përmes një kumtese për medie ka bërë të ditur sot se do të mbështes protestën e organizuar nga banorët e Orllanit për sigurimin e ujit të pijshëm, njofton Llapi.info
“Në emër të rrjetit të OJQ-ve lokale, mbështesim dhe përkrahim protestën paqësore të planifikuar për sot nga banoret e Orllanit, komuna e Podujevës me kërkesë legjitime sigurimin e ujit të pijes si e drejt elementare për jetë” thuhet në komunikatën e OJQ- ve.
Lidhur me këtë problem, kjo organizatë ka akuzuar pushtetin lokal të Podujevës se kjo komunë nuk ka shprehur gatishmërinë për t’u marrë me kërkesën e këtyre banorëve që nga përfundimi i luftës në Kosovë.
“Ne shprehim shqetësimin tonë të thellë lidhur me, neglizhencen e treguar nga pushteti komunal i Podujevës dhe me mos gatishmërinë për të trajtuar me prioritet këtë kërkesë tani e 18 vite nga përfundimi i luftës. Si rrjet i Organizatave Joqeveritare Demokracia Fillon Këtu , mbështesim çdo nismë që trajton problemet e qytetarëve dhe që nuk ka prapavijë politike, gjithashtu iu bëjmë thirrje të gjitha subjekteve politike që në asnjë formë të mos mundohen që kërkesat legjitime të qytetarëve ti politizojnë për përfitime politike ditore.
Komuna e Podujevës, duhet që me prioritet maksimal të trajtoj këtë problematik dhe të mos lejoj shpërnguljen e banoreve nga zonat kufitare për shkak të kushteve elementare për jetesë” thuhet në këtë komunikatë.
Në fund ky rrjet i OJQ- ve u ka bërë thirrje banorëve të këtij fshati që të jenë akoma më të zëshëm dhe të organizuar në mbështetje të kësaj nisme pasiqë edhe ata janë përgjegjës për te mbështetur nismat nga shoqëria civile që kanë për qëllim zgjidhjen e problemeve duke nxitur debat dhe duke dhënë alternativa./Llapi.info