Organizata e Kombeve të Bashkuara bëri të ditur se muaji prill ka qenë muaji më vdekjeprurës deri më tani këtë vit në Jemen, me më shumë se 230 vdekje.
“Prilli ishte muaji më vdekjeprurës për civilët në Jemen deri tani këtë vit, me një rritje të theksuar të viktimave. Të paktën 236 civilë u vranë dhe 238 u plagosën në Jemen në prill, një total prej 474 viktimash civile, mbi dyfishin e gjithsej 180 viktimave civile të dokumentuara në mars të këtij viti”, tha Ravina Shamdasani, zëdhënëse e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut.
Duke folur në një konferencë për media në Gjenevë, Shamdasani tha se gjashtë civilë janë vrarë dhe 57 janë plagosur në javën e parë të majit, duke shtuar se numri i madh i vdekjeve në vend ka vazhduar edhe në maj, raporton Anadolu Agency.
“Jemi thellësisht të shqetësuar për rritjen e madhe të viktimave civile dhe përsëri u bëjmë thirrje të gjitha palëve në konflikt të respektojnë të drejtën ndërkombëtare humanitare”, tha ajo.
Sipas OKB-së, të paktën 6.385 civilë janë vrarë dhe 10.047 janë plagosur që nga fillimi i konfliktit të Jemenit në mars të vitit 2015.
Shamdasani tha se shumica dërmuese e viktimave civile kanë pësuar si rezultat i sulmeve ajrore të kryera nga koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite.
Jemeni është përfshirë nga dhuna që nga viti 2014, kur rebelët Huthi morën nën kontroll pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana.
Konflikti u përshkallëzua në vitin 2015, kur Arabia Saudite dhe aleatët e saj arabë, që akuzojnë lëvizjen Huthi se janë në shërbim të Iranit, nisën një fushatë masive ajrore në Jemen që synonte të kthente territoret e marra nga rebelët.