Olimpiada Matematike e Kosovës (OMK) do të mbahet më 12 mars 2016, në ora 11, në Kolegjin “Mehmet Akif” në fshatin Banullë të Komunës së Lipjanit, ku do të marrin pjesë nxënësit e përzgjedhur nga komunat e Kosovës.

Olimpiada në Kosovë mbahet për nxënësit e klasëve të 9-ta, 10-ta, 11-ta dhe të 12-ta.

Nga Komuna e Podujevës këta janë garuesit që do të garojnë të shtunën me nxënësit e zgjedhur të shkollave të tjera të Kosovës:

Nga klasët e 9-ta do të garojnë: Duart Nishefci nga Shkolla Fillore “Naim Frashëri” dhe Zana Fazliu nga Sh.F “Enver Maloku”.

Nga klasët e 10-ta do të garojnë: Ilir Kiçmari dhe Adenita Luta nga Gjimnazi “Aleksandër Xhuvani”.

Prej klasëve të 11-ta do të garojnë 3 nxënës, Admirim Sheholli e Erzen Talla nga Gjimnazi “Aleksandër Xhuvani” dhe Patriot Curri nga Shkolla e Mesme Ekonomike “Isa Boletini”.

Dhe prej klasëve të 12-ta do të garojnë Mirjeta Hajdari dhe Donat Imeri që të dy nga Gjimnazi “Aleksandër Xhuvani”.

Sipas Drejtorit të Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Podujevës, Avni Malokut, prej klasëve të 11-ta janë zgjedhur 3 nxënës sepse Erzen Talla dhe Patriot Curri kanë treguar rezultat të barabartë në garën brenda komunës.

Nga kjo garë do të përcaktohen përfaqësuesit e Kosovës në Olimpiadën LVII Matematike Ndërkombëtare (IMO), e cila mbahet në Hong-Kong, prej 6-16 korrik 2016 dhe Kosova merrë pjesë për herë të pestë në cilësinë e anëtarit të plotë.

Nga komuna e Podujevës, nxënësi i atëhershëm tashmë student i matematikës, Besart Kodraliu, katër vjet radhazi ka arritur të futet në mesin e më të mirëve nga Kosova dhe së bashku me të përzgjedhurit e tjerë e kanë përfaqësuar Kosovën në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës (IMO), në Argjentinë, Kolumbi dhe në Tajlandë.

Madje në Olimpiadën e mbajtur në Kolumbi përfaqësuesja e Kosovës është nderuar me 3 “horonable mention” (mirënjohje). Njëra nga këto mirënjohje ishte për Besart Kodraliun nga Podujeva.

Ndërsa në Afrikën e Jugut, Kosova nuk ka mundur të përfaqësohet pasi që Republika Jug-Afrikane kishte refuzuar pasaportat e kandidatëve të përzgjedhur për Olimpiadë. /Llapi.info