Komunarët e Podujevës nuk i kanë paguar faturat e shpenzimeve telefonike vetëm në postë. Këtë ata kanë mundur ta bënin edhe në restorante.

Por, nuk kanë treguar se si, as kur kjo u është shfaqur nga një këshilltar komunal i opozitës. Duke folur për shpenzimet e drekave, këshilltari i PDK-së, Flakron Gashi, ka thënë se në njërin prej restoranteve të pëlqyera nga zyrtarët komunalë të Podujevës, këta të fundit kanë paguar edhe faturat e shpenzimeve telefonike.

“Shpenzimet për dreka e darkat zyrtare janë “glamuroze” dhe ka shpenzime marramendëse për to. Ka raste kur një drekë juaja kushton nga 400, 500€, madje edhe deri në 1.400 € vetëm për një drekë në vendet e zyrtarëve të pëlqyera si në “Adriatik” dhe “Millenium”. Madje “Adriatikut” i keni paguar fatura edhe për shpenzime telefonike. Unë s’e kam ditur deri sot se “Adriatiku” kryen edhe shërbime postare”, ka thënë Flakron Gashi.

Zyrtarët komunalë nuk i kanë pastruar rrugët e qytetit vetëm gjatë verës. Ata këtë e kanë bërë edhe gjatë sezonit të dimrit kur temperaturat kanë qenë minus. Shuma që ka paguar kjo komunë për pastrimin e rrugëve në këtë kohë është 2.677 euro.

“Komuna ka paguar në emër të pastrimit të rrugëve KRM “Pastrimi” shumën prej 2677.71€ në periudhën e dimrit, ku temperaturat ishin deri -17 gradë celsius. Nuk e di si pastrohen rrugët me ujë në këtë kohë. Me siguri kanë dëshiruar ta shndërronin në qendër patinazhi!”, ka thënë Gashi, shkruan sot Koha Ditore.