Kritika të shumta kanë dhënë këshilltarët opozitarë për gjendjen e arsimit në Komunën e Podujevës. Sipas tyre, në shkollat e kësaj Komune ka punësime që as nuk është përfillur ligji, njofton Llapi.info
Këto edhe shumë ankesa janë dhënë në Kuvendin Komunal të Podujevës në seancën e rregullt, ku në rend dite ishte edhe informata e Drejtorisë së Arsimit për përfundimin e periudhës së parë të vitit shkollor 2018-19. Opozitarët kanë dhënë kritika edhe për mungesa të shumta si dhe rezultatet e nxënësve.
Shefi i grupit të këshilltarëve të PDK-së, Rafet Llapashtica, ka përmendur punësime të paligjshme që janë bërë nëpër shkollat e Podujevës. Sipas tij, ka drejtor shkolle që paguhet edhe me pagë mujore si drejtor e po ashtu edhe të mësimdhënësit. Thotë se cilësia e arsimit në këtë Komunë është e dobët, siç thotë ai, si rezultati i angazhimit politik të të punësuarve.
“Angazhimi pa konkurs i njerëzve, nuk guxon të punësohet në arsim as për zëvendësim të orëve pa konkurs publik, kush ua jep të drejt veç me i thirr njerëz në telefon hajde në punë? I keni injoru njerëz me magjistra t’u nejt në shtëpi. Në Dobratin drejtori u pagua për një vit me rrogë shtesë, edhe si drejtor e ja ke qit edhe rrogën retroaktiv ka 10 orë. Ka e ke marr atë drejtë me lënë profesor që konkurron këtu pas asnjë orë pune, e ai atje me i marr rrogën e drejtori e edhe 10 orë atje, a është ligj kanunor i juaj apo i LDK-së, a është ligj i Republikës. Kjo është përgjegjësi e jote e edhe të Agim Veliut”, ka thënë ai.
“Kjo gjendje është faktike. Te siguria në shkolla, organet janë angazhoj. Pasi e ki pushtetin, vendosi drejtorët e LDK-së, por që të jenë kredibil e jo të arave që nuk kanë asnjë ditë shkollë. Asnjë laborator nuk është në shkollat e Podujevës, e shohim gjendjen e arsimit në Podujevë në krahasim me të tjerët”, ka thënë Llapashtica.
Edhe këshilltari i Lëvizjes Vetëvendosje, Bajram Ajeti, ka thënë se punësime të jashtëligjshme nga ana e pushtetit ka në afatin e fundit të nëntorit.
“Nuk duhet të ketë fryrje të notave nga drejtorët e shkollave në Podujevë. Çështja e punësimit, është duke u shkelur edhe ligji i veçantë e edhe dy rregullore administrative. Rasti konkret është te konkursi i nëntorit, ka shkelje aq të rënda të bazës ligjore saqë nuk e di ku po bëheni kaq trima, duke u ndje edhe krenar për shkelje të ligjit. Refuzohet masteri me përvojë punë e merret me bachelor se janë partiakë, është e tmerrshme”, ka thënë Ajeti.
E drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Agim Blakçori, këto akuza i ka quajtur të fyerje. Sipas tij, për mungesat e nxënësve niveli i përgjegjësisë tek prindërit duhet të jetë më i larti.
“Tek çështja e sigurisë nuk varet vetëm nga një drejtor, por janë një spektër i gjerë. Kemi bashkëpunim me Policinë e Kosovës, por edhe ata ankohen për mungesë të stafit për të pasur në të gjitha shkollat pjesëtarë të shërbimit të tyre. Mungesat e nxënësve, niveli i përgjegjësisë tek prindërit duhet të jetë më i larti. Ka rezultate, në vitin e fundit 20 nxënës nga Podujeva janë regjistruar në Fakultetin e Mjekësisë”, ka thënë Blakçori.
Në anën tjetër, në një replikë, këshilltari Rafet Llapashtica, ka thënë se për të gjitha këto përgjegjës është drejtori i arsimit.
“Përgjegjësinë e ki ti, sigurinë, rendit, angazhimin e stafit, gjendjen e brendshme, zhvillimin, emërimin e drejtorëve e të tjera i ki ti. Drejtorët nëpër shkolla ata ta denigrojnë arsimtarin, problemi më i madh është që nuk mundesh me marr vendim ti si drejtor. Në mandatin 2004-07, Ministër i Arsimit ka qenë Agim Veliu, asnjë shkollë në Podujevë nuk këtë periudhë nuk është ndërtuar. 2007-13, janë ndërtuar 13 shkolla. Një njeri politik i ke dhënë 12 paga në vit me ka 10 orë shtesë”, ka thënë tutje ai.
Kujtojmë, kritika për punësime të jashtëligjshme në arsim, muaj më parë ka dhënë edhe Fitim Haziri nga Lëvizja Vetëvendosje./Llapi.info