Në seancën e fundit të mbajtur në Kuvendin e Komunës së Podujevës, është miratuar vendimi për dhënien e pronës së paluajtshme të Komunës në shfrytëzim afatgjatë Shërbimi Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK), njofton Llapi.info.
Edhe përkundër që ndërtimi i objektit ka përfunduar shumë kohë më parë, funksionalizimi i tij ende nuk është bërë. Mosfunksionalizmi i këtij spitali detyronte qytetarët e Podujevës të udhëtojnë me kilometra në drejtim të Prishtinës, për të marrë shërbimet e nevojshme. Opozita fajësonte Komunën, Komuna fajësonte Ministrinë e Shëndetësisë, e kjo e fundit nuk jepte “xhevap”.
E tek tani, kryetari i Komunës së Podujevës i ka propozuar asamblesë komunale një vendim për funksionalizmin e Spitalit. Çudi është se Veliu në një postim në Facebook lajmin për funksionalizimin e spitalit e kishte dhënë në maj të vitit 2018. Për gati dy vite më pas, ai i ka propozuar Kuvendit një vendim në të cilët vërtetohet se ky spital nuk është funksional, derisa që kishte pasur bartje të repartit të Maternitetit nga objekti i vjetër në atë të ri.
Në anën tjetër, partitë opozitare në Podujevë fajësojnë kryetarin e komunës, Agim Veliu për zvarritjen e funksionalizimit të këtij objekti shëndetësor. Këshilltarët opozitarë kanë akuzuar qeverisjen lokale për mungesën e Spitalit të Përgjithshëm.
Kurse, pozita e sheh të domosdoshme vënien në shfrytëzim të pronës për SHSKUK-në, tek tani pas disa vitesh përfundimi i punimeve në këtë objekt.
“Grupi parlamentar i LDK-së e mbështet këtë vendim. Funksionalizmi i tij është i domosdoshëm, ku do të ketë shumë efekte shëndetësore”, ka thënë në emër të këtij grupi, Afrim Shabani.
Për këshilltarin e VV-së, Vendenis Lahu, po bëhet hera e tretë e prerjes së shiritit për këtë spital.
“Siç duket paska ardhë dita për t’ia prerë shiritin Spitalit për të tretën herë. Spitali i Përgjithshëm është lehtësim i madh për qytetarët, por themelimi e funksionalizimi i tij është zvarritur tej mase me ç’gjë përveç shërbime jo mjaftueshëm kualitative u janë shkaktuar edhe dëme materiale, dëme me të cilat qytetarët e komunave të tjera nuk përballen, sepse ata kanë spitale të përgjithshme. Nuk ka pasur kurrfarë politikash kuadrovike as në të kaluarën dhe as tash ku kuadrot më të mira po ikin jashtë vendit, e qeverisja lokale s’bën asgjë. Është plotësisht e painteresuar. Qendra Emergjente s’ka specialistë të mjekësisë urgjente. Nuk kemi kirurgë, anesteziologë, ortopedë e traumatologë. Komuna jonë s’ka bërë asgjë, bash asgjë për këtë punë. Kjo Komunë ka mbi 90 mijë banorë, e mos të ketë nivel sekondar shëndetësor, kjo ndodh veç në Komunën tonë dhe udhëheqjen”, ka thënë Lahu.
Pas diskutimeve rreth kësaj pike mes të gjitha grupeve parlamentare në asamblenë komunale, me shumicë votash është miratuar vendimi që prona e paluajtshme e komunës t’i jepet në shfrytëzim SHSKUK-së.
Duhet theksuar se fillimi i punës ishte premtuar në vitin 2017, por tani (2019), po bëhen përgatitjet për funksionalizimin e tërësishëm të Spitalit të Përgjithshëm të Podujevës.
Kujtojmë, drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu, dhe kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, kanë nënshkruar marrëveshje për funksionalizim të Spitalit të Përgjithshëm në Podujevë më 23 gusht të këtij viti./Llapi.info