Kujdestaria e së hënës në zyrat e LDK-së në Prishtinë e kryetarit të Podujevës, Agim Veliu, është kritikuar nga ana e opozitës së kësaj komune.

Në një komunikatë të LDK-së thuhet se anëtarë të Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës do të jenë në zyrat e LDK-së dhe se këtij procesi i ka prirë nënkryetari i parë, njëherësh kryetar i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ndërsa ditët e ardhshme do të jenë nënkryetarët, sekretari i përgjithshëm i LDK-së dhe anëtarët e tjerë të Kryesisë, shkruan sot “Koha Ditore”, transmeton Llapi.info.

Kryetari i Qendrës së LVV-së në Podujevë, Bajram Ajeti, thotë se nuk ka asgjë të jashtëzakonshme që do të duhej kryetari i Komunës së Podujevës të kujdestaronte në zyrat e partisë në Prishtinë.

Sipas kryetarit të Qendrës së LVV-së në Podujevë, për shkak të angazhimeve partiake, kreu komunal nuk është duke i pranuar qytetarët në zyrën e tij për t’i shprehur hallet që i kanë.

Edhe shefi i Grupit të këshilltarëve të PDK-së, Rafet Llapashtica, ka thënë se kryetari Veliu më shumë mendon për interesin e tij personal sesa për qytetarët.

Sipas tij, kryetari i komunës vendin e punës e ka në komunë dhe e ka për obligim që të kujdeset për shërbimet e qytetarëve pa dallime politike së bashku me stafin e tij.