Në Kuvendin Komunal të Podujevës, është mbajtur seanca e rregullt ku u shqyrtua raporti i punës së këtij institucioni për vitin 2018. E, në këtë raport këshilltarët opozitarë kanë pasur vërejtje të shumta, që sipas tyre, nuk janë përmendur në këtë punë vjetore. Opozitarët kanë kritikuar edhe kryesuesin e Kuvendit, Fatmir Gashi, pasi që sipas tyre, po lejon të parin e Podujevës, Agim Veliun dhe ekzekutivin të tallen me ta, duke mos sjellë raportin e punës për vitin 2018. Përveç kësaj, edhe kësaj here i pari i Podujevës, Agim Veliu nuk ka marrë pjesë në këtë seancë, njofton Llapi.info
Dokumenti i shpalosur këshilltarëve nuk e ka quajtur raport këshilltari i Lëvizjes Vetëvendosje, Bajram Ajeti. Thotë se te ndryshimi i statutit, nuk janë themeluar të gjitha komitetet.
“Raporti i punës së Kuvendit, pash se për grupin tonë nuk është raport. Ky është vetëm një ‘copy-paste’ prej atyre seancave që janë mbajtur për çështjet ligjore, puna e Kuvendit Komunal në raport me administratën komunale, ekzekutivin, tek në fund e kemi se arsimi ka dhënë informata që ka ofruar. Te ndryshimi i statutit, aty janë të parapara themelimi i komiteteve dhe pos Komitetit për politikë dhe financa dhe atij për komunitete për shëndetësi, të tjerat nuk janë themeluar ende. Një rregullore për funksionalizimin e këshillave lokale, lagjeve, e dini që ka kaluar edhe debati publik, kaloi viti edhe ajo rregullore nuk aprovuar në asamble, pa fajin e këshilltarëve, por për fajin e administratës se ka disa të emëruar kundërligjshëm nëpër fshatra dhe duhet t’i mbajnë ata kryetar fshati që nuk kanë bazë juridike”, ka thënë Ajeti.
Sipas tij, në këtë raport as që janë cekur dhe publikuar punët që janë kryer e ato që s’janë kryer.
“Raporti për gjendjen pas vërshimeve nuk është publikuar, që sipas Ajetit. Kemi biseduar edhe për gjendjen në shëndetësi, ju e dini që në QKMF ka krim të organizuar edhe nuk arriti të na bind ekzekutivi që në QKMF s’ka krim të organizuar. Andaj, mendoj që ky raporti nuk është asgjë dhe pas asnjë analizë të punës, se ku është punuar e ku jo, cilat kanë qenë sfidat. E di që sfida kryesore është ndikimi politik që e bënë një person, e bënë kryetari i Komunës. Ky raport kërkoj të mos aprovohet”, ka thënë Ajeti.
Ndërsa, Rafet Llapashtica nga PDK, ka kritikuar kryesuesin e Kuvendit, Fatmir Gashin, pasi që sipas tij, Gashi është dashur të raportoj për punën vjetore.
“Ti kryesues është dashur që në bazë të rregullit, në bazë të raportit vjetor të dalësh dhe të raportosh për punën që ke bërë në asamble me shumicën. Nuk e kemi raportin e të parit të Komunës për gjendjen financiare. Nuk janë përshkruar shqetësimet tona në këtë raport, veç sa seanca janë mbajtur cilat kanë pika të rendit kanë kaluar. Është e vërtetë që kompensimet nuk janë bërë si ato të vërshimeve, dëmeve edhe pse është thënë se Komisioni është dalë në teren për t’i vlerësuar ato, por që nuk i dinë as vetë drejtori vlerën e dëmit”, ka thënë ai.
Duke folur për gjendjen në Komunën e Podujevës, ai ka thënë se po të ishte mirë në Podujevë do të jetonte edhe vetë kryetari Agim Veliu. Sipas Llapashticës, Podujeva nuk është duke u bërë vend atraktiv as pas 18 vitesh.
“Unë e di që kjo gjendje shumë pak ndryshon, Podujevën shumë pak e shohim më ndryshe që 18 vite, saqë edhe zyrtarët komunalë janë duke ikur prej këtu. Nuk ki zhvillim, as infrastrukturë, qendër tregtare as zonë, punësim, Me këtë nuk është i kënaqur as kryetari se ish ardhë kish jetu këtu, i kish shkollu fëmijët. Podujeva nuk është duke u bërë vend atraktiv për dikën që të thotë të shkoj të jetoj në Podujevë. Ma me qejf jetojnë njerëzit në zonat rurale se në qytet”, ka thënë ai.
Ndryshe, ky raport pas ankesave nuk është hedhur në votim, derisa i pari i Kuvendit Fatmir Gashi, duke u munduar të arsyetohet pas akuzave, ka thënë se çështjet kryesore janë përmendur në raport./Llapi.info