Sot në Podujevë u mbajt një debat nga Organizata “Alternativa për Fuqizimin e Rinisë së Kosovës” me temën “ Pjesëmarrja e të rinjve në jetën publike”. Në këtë debat morën pjesë nënkryetari i Komunës së Podujevës Nexhmi Rudari, nënkryetari i Këshillit Qëndror të Veprimit Rinor Liridon Ibërhysaj, drejtoresha e Shkollës së Mesme Teknike “Fan S. Noli” në Podujevë Vlora Hajdini, përfaqësues të shoqërisë civile në Podujevë dhe nxënës nga shkolla e mesme teknike.

Në debatin e udhëhequr nga menaxherja e programeve, Xheneta Çaka, u diskutua për sfidat, vështirësitë, të arriturat dhe gjetjen e mënyrave më efektive për rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve në proceset vendim-marrëse në institucionet lokale dhe në jetën publike në përgjithësi.

Nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari vuri në pah rëndësinë e funksionimit të mirëfilltë të strukturave rinore, duke e cilësuar rolin e tyre mjaft të rëndësishëm në hartimin e strategjive dhe politikave komunale, me theks të veçantë në politikat rinore. Nënkryetari Rudari duke iu referuar rëndësisë së pjesëmarrjes në aktivitete të ndryshme u bëri apel nxënësve që prioritet ta kenë shkollimin dhe rezultatet në mësime, që janë bazë e mire edhe për përfaqësim në struktura tjera.

Edhe pjesëmarrësit e tjerë shkëmbyen përvoja dhe praktika të mira me qëllim që ato të inkorporohen në punën dhe dinamikat e zhvillimit të aktiviteteve rinore në Podujevë.

Të pranishmit në debat dolën me rekomandime për punë dhe angazhime të përbashkëta për rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve, sidomos të zonave rurale.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit “Të jesh aktiv, është atraktive”, ndërsa ky projekt është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit./Llapi.info