Është organizuar sot në sheshin “Ali Ajeti” në Podujevë Panairi i Sportit 2019, njofton Llapi.info.
Ky organizim është mundësuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës në bashkëpunim me Komunën e Podujevës.
Shfaqjen e sporteve të ndryshme përballë objektit të komunës e ka përcjellë edhe i pari i Podujevës, Agim Veliu. Këtë e ka bërë të ditur vetë Veliu në një postim në Facebook, duke shtuar se ka inkurajuar të rinjtë që të merren më shumë me sport.
“Qindra të rinj e të reja sot ishin pjesë e Panairit të Sportit të organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës në bashkëpunim me Komunën e Podujevës. Edhe me këtë rast inkurajuam të rinjtë që sa më shumë të merren me sport, përmes pjesëmarrjes dhe angazhimit në klubet sportive llapjane, ku do të kenë mundësi të tregojnë talentin e tyre dhe të arrijnë rezultate kulmore”, shkruan Veliu në Facebook.
Ky panair u organizuar edhe në : Gjilan, Gjakovë, Pejë, Ferizaj, Mitrovicë, Drenas, Vushtrri, Deçan, Obiliq, Viti, Kaçanik, Fushë Kosovë, Rahovec, Hani i Elezit, Suharekë, Istog, Kamenicë dhe Malishevë, ndërsa Dragashi e ka organizuar më 1 tetor.
Qëllimi i Panairit ishte masivizimi dhe joshja e fëmijëve për t’u marrë me sport. Nëpër të gjitha komunat, klubet e ndryshme të qyteteve demonstruan sportet e tyre.
Ndryshe, ky edicion përkoi edhe me 5-vjetorin e marrjes së vendimit historik të Bordit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, të cilët më 22 tetor 2014 vendosi të njoh Komitetin Olimpik të Kosovës, njohje kjo që i hapi rrugën sportistëve tanë dhe federatave sportive të anëtarësohen në Federatat Ndërkombëtare./Llapi.info