Gjykata e tenderëve e ka futur në listë të zezë kompaninë “Al-Ber”, pasi që kjo e fundit dyshohet se e ka mashtruar Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) në një proces tenderues, duke ofruar dokumente të rreme dhe të falsifikuara.

Në vendimin e OSHP-së thuhet se kompania diskualifikohet nga pjesëmarrja në aktivitetin e prokurimit “Rikonstruimi dhe ndërtimi i ansksit të objektit të QRA-QPD në Ferizaj” dhe i ndalohet pjesëmarrja në aktivitetet e prokurimit publik për periudhën kohore një vit, raporton IndeksOnline.

Këtë tender e kishte fituar kompania në fjalë meqë ka ofruar çmimin më të ulët 444.217 euro.

“Pas nënshkrimit të kontratës MPB në cilësinë e Autoritetit Kontraktues është njoftuar nga Policia e Kosovës Drejtoria për Hetim të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsioni se operatori ekomik “AL-Ber” Sh.P.K Suharekë, me rastin e aplikimit në tender ka dorëzuar dokumente të pa sakta ose mashtruese të cilat kanë vënë në lajthitje”, thuhet mes tjerash në vendimin e OSHP-së.

Vendimi për futjen në listë të zezë, sipas vendimit ka ardhur pas marrjes së vendimit nga ana e tyre për shkëputje të kontratës dhe mbi bazën e këtij vendimi të paligjshëm AK përpos kërkesësë së OSHP-së ka bërë kërkesë edhe nga kompania e sigurimit “Elsig” për konfiskimin e sigurimit të ekzekutimit të tenderit me policë të sigurimit në shumën prej 45 mijë euro.

Në anën tjetër Faton Gashi pronari i kompanisë “Al-Ber” , nuk e ka mohuar se e ka mashtruar MPB-në në këtë proces tenderues, ai ka thënë se ky rast është dërguar edhe në gjykatë.