Mjeshtëria e tij nuk është e zakonshme. I pazakontë duket edhe ai vetë për punën që bën. Ai merret me shërimin e një sëmundjeje që shkenca nuk e njeh. Edhe pse në dukje teknika e përdorur është e thjeshtë, rezultati është goxha i madh. Ish-mësuesi Osman Sekiraqa nga Podujeva “i qet kthizat n’ven”. Ai është mjeshtri i kërthizave.

Gjithçka duket se nisi spontanisht. Por atij i “mbet në dorë” një zanat që zanafillën nuk ia di askush. Ishte në klasën e shtatë fillore në Podujevë kur profesori rus Makajev, që ua ligjëronte gjuhën ruse atëkohë, e kishte përzgjedhur nxënësin Osman Sekiraqa që t’i asistonte. Jo për lëndën që ligjëronte, por për mjeshtërinë që kishte për kërthiza. I kishin shkuar shumë serbë dhe i vetëm nuk kishte mundur “t’u japë xhevap” të gjithë pacientëve, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kërkoi edhe ndihmën e nxënësit të tij. Por nuk dihet pse e kishte përzgjedhur pikërisht Osmanin që t’ia linte zanatin në dorë.

“Qysh si nxënës i shkollës 7-klasëshe fillore në Podujevë. Ka qenë një profesor rus Makajev. Ai na ka dhanë gjuhën ruse, sikur tash që janë gjuhët e huaja. Ka qenë mjeshtër i madh për kërthizë. Kanë ardhë shumë serbë (te ai për shërim v.j.), e qysh i kam ra në sy nuk e di e më ka thirrë me i ndihmua. Pas një kohe ma ka dhanë një pacient mua me e kontrollua dhe më ka thanë në gjuhën ruse ‘sretan ti zanat’ (ia pafsh hairin zejes). Kanë qenë diku vitet ’50-’51. Prej atëherë kam këqyr për kërthizë”, tregon historinë e marrjes së këtij zanati Osman Sekiraqa.