Nën patronatin e presidentes Vjosa Osmani, sot në 23-vjetorin e betejës së Koshares, u mbajt dhe manifestimi “Ditët e Shqipes”, ku fillimisht Osmani bëri homazhe në Kompleksin Përkujtimor në Koshare e më pas mori pjesë edhe në manifestimin qendror për nder të 23-vjetorit të kësaj beteje.

Presidentja Osmani e cilësoi këtë betejë prej me të rëndësishmeve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“9 prilli është ditë e veçantë, në historinë e Republikës së Kosovës, shënon luftën frontale në rajonin e gjerë të brezit kufitar të Koshares me qëllim të dëbimit të forcave pushtuese serbe, nga zona e kufirit shqiptaro-shqiptar dhe me qëllim të çlirimit të vendit tonë. Kjo ishte ndër betejat më të lavdishme të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, tha ajo.

Data 9 prill në Kosovë shënohet edhe si Dita e Kushtetutës, për të cilën Osmani, tha se u flijuan shumë të rinj e të reja.

“Kushtetuta, akti themeltar i shtetit ndërlidhet kësisoj, me betejën për liri, me gjakimin e saj dhe me vendosmërinë me të cilën gratë e burrat e Kosovës e shprehen haptas në betejën e Koshares, pasi qe Kushtetutën dhe shtetin i kemi, sepse i kishim heronjtë tanë”, vijoi Osmani.

Gjithashtu, ajo u shpreh se beteja e 9 prillit të vitit 1999 dëshmoi se pabarazia në armatim nuk është çelës përcaktues për fitoren në luftë,

“Beteja e Koshares tregoi po ashtu se pabarazia në armatim nuk është çelësi përcaktues i luftërave. Shpirti luftarak, vendosmëria për ta parë vendin të lirë dhe gatishmëria për të sakrifikuar çdo gjë për të, janë më të fuqishme se sa çfarëdo arsenali ushtarak. Prandaj sot ne e përkujtojmë këtë betejë si njërën nga momentet më krenare të historisë sonë të lavdishme”, tha Osmani.