Zyrtarët komunalë të Podujevës kanë akuzuar ish-pushtetin për dëmtim të buxhetit në tri kontrata për dezinfektimin e hapësirave publike të brendshme dhe të jashtme, njofton Llapi.info.
Në një konferencë për medie, drejtori për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani, ka shtuar se çmimi për metër katror është paguar për 6.7 herë më shumë se çmimi i tregut.
“Komuna e Podujevës gjatë vitit 2020 ka lidhur tri kontrata për dezinfektim me të njëjtën kompani, disa nga këto kontrata janë të negociuara por të gjitha shumë lart mbi çmimin e tregut”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, çmimi i tregut për metër katror është 9 centë, ndërsa është paguar 59, 28,3 e 22,4 centë për metër katror nga ish-qeverisja.
Shpenzimi nga këto tri kontrata është 431,400.06 euro, e që sipas Osmanit dëmi financiar është diku 200 mijë euro.
“Çmimet e këtyre kontratave tregojnë se janë shumë mbi çmimin e tregut. Çmimi i tregut të dezinfektimit për sipërfaqe për metër katror është 9 cent. Për shembull Komuna e Prishtinës, përkatësisht Drejtoria e Arsimit ka kontratë të lidhur me çmim 8.8 cent për metër katror. Nëse i krahasojmë me çmimet e kontratave, të cilat i ka lidhur Komuna e Podujevës, ato janë deri në 6.7 herë më të larta. Në total Komuna e Podujevës gjatë vitit 2020 ka shpenzuar 431,400.06 euro për dezinfektim. Ndërsa dëmi financiar që i është shkaktuar Komunës me këto çmime shumë disproporcionale me çmimin e tregut është afër 200 mije euro”, tha Osmani.
Ai ka thënë se do të shqyrtojnë mundësinë e kallëzimit penal për përgjegjësit e këtij dëmi ndaj ish-komunarëve të LDK-së./Llapi.info