Presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, nuk iu lejua që dje të vizitonte fshatin Banjë të komunës së Skënderajt. Vizitën atje Vuçiqit ia pamundësuan protestuesit nga Skënderaj, së bashku me veteranë të UÇK-së të cilët vendosën barrikada në rrugët që dërgojnë në këtë fshat, veprim që më pas u pasu edhe me revokimin e lejes nga Qeveria e Kosovës për vizitë në zonën e Drenicës.

Përveq qytetarëve të Drenicës, kësaj proteste iu bashkuan edhe shumë zyrtarë shtetëror, duke përfshirë kryetarin e komunës, Bekim Jasharin, deputetin Bekim Haxhiu, si dhe zëvendësministrin në MZHE, Gani Kocin, shkruan lajmi.net.

Qytetarët e Skënderajt përkrahjen e kishin edhe nga OVL e UÇK-së, meqenëse pjesëmarrës aty ishte Hysni Ngucati, kryetari i kësaj organizate.

E i njëjti në një prononcim për lajmi.net gjatë ditës së sotme tha se Vuçiqit nuk është dashur t’i lëshohej fare leje për të hyrë në Kosovë.

Këtë ai e arsyeton me faktin se askujt prej krerëve shtetërorë të Kosovës nuk i është dhënë leje për të vizituar komunat shqiptare në Serbi.

Tutje, Ngucati thotë se vetë e kaluara e presidentit serb, tregon se ai nuk mund të jetë i mirëpritur në Kosovë.

“Nëse ata nuk e lejojnë presidentin, kryeministrin dhe kryetarin e parlamentit me e vizitu luginën e Preshevës atëherë pse me i leju ata me ardhë me e vizitu Kosovën. Ne e dijmë një president ashtu çfare ka qenë Vuçiqi në Serbi që ka qenë zëdhënës i Qeverisë që e ka përkrah luftën e Milosheviqit, atëherë për ne është i parpranueshëm”, ka thënë Ngucati.

Ngucati ka folur edhe për protestën e djeshme, të cilën ai e ka quajtur të arsyeshme dhe protestë e cila nuk kishte për qëllim asgjë më shumë se sa që presidenti serb të kërkojë falje për krimet e kryera nga ish-regjimi serb.

“Protesta e djeshme ka qenë e organizuar nga qytetarët e Skënderajt dhe dega e veteranëve të luftës në këtë qytet, ka qenë protestë e arsyeshme dhe protestë e qetë ku ata nuk kanë kërkuar asgjë më shumë, sesa me kërku falje Vuçiq për krimet, gjenocidin që është bërë në Kosovë, por edhe për fatin e të pazhdukurve”, ka thënë Ngucati.

Kujtojmë se presidenti serb qëndroi për një vizitë dy ditore në Kosovë. Gjatë këtij qëndrimi ai vizitoi edhe Liqenin e Gazivodës