Në konkursin për mësimdhënës në Sh.M.E. “Isa Boletini” nuk kishte orë të lira të shpallura për lëndën e Biologjisë. Por, kjo sipas Flakron Gashit, asambleist i PDK-së, nuk e ka penguar Ardiana Hysenin, studente e padiplomuar që të punësohet në këtë shkollë me normë të plotë. Ndërsa, Avni Maloku, drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Podujevë nuk ka dijeni se kush e ka punësuar Ardianën, madje as që e njeh atë.
“Nuk kam kohë me u merr me atë punë hiç. I kam pun’t me drejtorë të shkollave të mesme. Ti grahi me ato burimet e tua. Nuk kam çka me thanë tjetër. S’di kush është ajo hiç. Tybe as s’di kush është ajo. Me konkurs ata pranu se kom. S’di kush është”, ka thënë Maloku për Llapi.info.
Flakron Gashi, asambleist i PDK-së, ka thënë për Llapi.info se Ardiana Hyseni është studente e padiplomuar dhe është pranuar pa konkurs.
“Ardiana Hyseni është motra e pronarëve të kompanisë “Vëllezërit Hyseni”. Kjo kompani gjatë vitit 2014 dhe 9 mujorit të parë të vitit 2015 ka fituar dhjetra tendere me vlerë qindra mijëra euro. Ajo është studente e padiplomuar dhe është pranuar me normë të plotë pa konkurs”, ka thënë Gashi.
Ai ka treguar se vitin e kaluar Ardiana Hyseni ka mbajtur orë në Sh.F.M.U “Xheladin Rekaliu”.
Lënda e Biologjisë në Sh.M.E. “Isa Boletini” mësohet në drejtimin Teknologji Ushqimore./Llapi.info