Dy të rinj dyshohet se dje kanë sulmuar dhe kërcënuar me armë pronarin e një biznesi privat në Pejë.

Rasti ka ndodhur në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, ku Policia është njoftuar për një situatë të tensionuar në lokalet e vilave “Ukaj”.

Sipas po të njëjtave burime, pronar i vilave ka raportuar në Polici se dy persona kishin shkuar deri te dera e recepcionit, ku ai po qëndronte, dhe e kishin sulmuar me shqelma, ndërsa njëkohësisht e kishin kërcënuar përmes telefonit me fjalët: “Del se pa të vra s’kemi me lan”.

Viktima ka deklaruar se një nga të dyshuarit mbante një armë zjarri në dorë, e cila ishte përgatitur për të shtënë, ndërsa në vendin e ngjarjes kishte menduar se kishte ardhur policia, andaj kishte dalë nga recepcioni – por në atë moment dy të rinjtë ishin vërsulur ndaj tij, për fat të mirë pa mundur ta kapin.

Policia ka ndërhyrë në kohë dhe ka arrestuar dy të dyshuarit, të cilët janë dërguar në stacionin policor në Pejë.

Gjatë kontrollit, tek ta nuk është gjetur armë zjarri, por vetëm një shkop druri, ndërsa viktima insiston se njëri prej tyre kishte pistoletë të zezë.

Me urdhër të Prokurorit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.

Ndërkaq, rasti është iniciuar si “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Sulmi” dhe “Kanosja”.