Pa u njohur Kosova nga Serbia dhe pa u bërë anëtare e OKB-së, nuk mund të bëhet asnjë korrigjim i kufirit. Kështu thotë analisti politik Ramush Tahiri, duke komentuar deklaratën e presidentit të vendit për korrigjim të kufirit me Serbinë.
Ndërsa profesori i negocimit ndërkombëtar Valon Murtezaj e quan këtë proces të rrezikshëm, pasi kufijtë në Ballkan janë të ndërtuar në atë mënyrë sa që nëse bie një kufi, bien edhe kufijtë e tjerë. E përfaqësues të Luginës këmbëngulin që çështja e Luginës të jetë pjesë e dialogut.
Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës përmes një deklarate politike, kërkojnë nga udhëheqësit kosovarë që çështja e Luginës të përfshihet në dialog me Serbinë. Kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, ka thënë për Radio Kosovën se marrëveshja për fqinjësi të mirë me Serbinë, e cila pritet të arrihet, nuk mund të jetë e plotë derisa të drejtat e shqiptarëve në Luginë cenohen.
“ Kjo është mundësia jonë më e mirë që në kuadër të bisedimeve të Brukselit, institucionet e Kosovës ta shtrojnë këtë si temë dhe të tentojnë që me Serbinë dhe me bashkësinë ndërkombëtare të gjendet një zgjidhje edhe për të drejtat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Kemi biseduar edhe me presidentin dhe Deklaratën politike që e kemi aprovuar ia kemi dorëzuar edhe atij”.
Kamberi thotë se zgjidhja e çështjes së Luginës duhet të bëhet si tërësi e jo në formë parciale:
” Ndarja e një apo dy fshatrave nga Lugina e Preshevës do të sjellë katastrofë humanitare të shpërnguljes së tërësishme të shqiptarëve nga Lugina, prandaj kjo duhet të jetë një çështje që me shumë kujdes të trajtohet sepse nuk ka zgjidhje të Luginës së Preshevës si tërësi, me komunën e Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës, atëherë zgjedhje të tjera frikësohem se do të mund të sjellin tragjedi të reja në këtë pjesë..
Por njohësit e çështjeve politike në vend nuk e shohin këtë si të mundshme, që Kosova të bëjë korrigjimin e kufijve. Analisti Ramush Tahiri tha për Radio Kosovën se në Kushtetutën e Kosovës, Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti.
Kosova me Kushtetutë, neni 1 pika 3 e ka të ndaluar bashkimin e një pjese me një shtet tjetër ose bashkimin e krejt Kosovës me një shtet tjetër, këmbimin e territorit që të gjitha shtetet tjera I kanë të parapara, Kosova i ka të kufizuara dhe kjo është e paraparë me Kushtetutë dhe kjo është një akt ligjor.
Ai thotë se fillimisht Kosova duhet të njihet nga Serbia, e pastaj përmes marrëveshjes mund të bëhet korrigjimi i kufirit:
“ Për të arritur marrëveshjen duhet me u njoft shteti, në këtë rast nga Serbia dhe pastaj në kuadër të marrëveshjes bëhet shënimi i vijës kufitare, në bazë të vijës administrative ose ndryshimi i vijës kufitare pasi të jetë shënuar në terren. Tash për tash çdo këmbim i kufijve apo përcaktim i vijës kufitare me Serbinë pa u pranuar Kosova si shtet nga Serbia dhe pa u bërë anëtare e OKB-së nuk mund të bëhet”.
Ndërsa profesori i negocimit ndërkombëtar në Universitetin e Parisit Valon Murtezaj në një bisedë për Radio Kosovën, deklaratat e fundit si vijat kufitare me Serbinë, korrigjimet apo ndarje janë terme të rrezikshme. Megjithëkëtë Murtezaj thotë se këto nuk do të ndodhin:
“ Kufijtë në Ballkan janë të ndërtuar në atë mënyrë sa që nëse bie një kufi bijnë edhe kufijtë e tjerë. Dhe kjo nuk është procesi më i lehtë i mundshëm, përkundrazi është gjëja më e vështirë e mundshme që mund t’i ndodh gjithë regjionit të Ballkanit . Personalisht mendojë se këto gjëra nuk do të ndodhin, proceset e kufijve ndërlidhën me aspektet e delimitimit dhe demarkimit, pra nuk mund të bëhen nga askush tjetër, sidomos jo nga ndonjë ekip negociator i cili nuk ka mandat për me bërë një gjë të tillë”.
Ndërkohë presidenti Thaçi ka paralajmëruar se do të ketë korrigjim të kufirit me Serbinë.