Mbeturinat po vazhdojnë të jenë problem për qytetin e Podujevës. Përveç pjesëve të tjera të qytetit, probleme me mbeturina ka edhe Qendra Kryesore e Mjeksisë Familjare (QKMF) në Podujevë. Në oborret e spitaleve të kësaj Qendre shihen mbeturinat e shumta, njofton Llapi.info.
Sipas Drejtorit të QKMF-së në Podujevë, Afrim Shabani, problemi kryesor i këtyre mbeturinave janë kontenjertë pranë rrethojave të Qendrës Emergjente në Podujevë. Sipas tij nga këta kontenjerë dhe nga mbeturinat e hedhura pranë tyre po ndotet edhe oborri i Qendrës Emergjente në Podujevë.
“As unë nuk jam i kënaqur me këtë gjendje, mirëpo problemi kryesor vjen nga kontenjerët afër Emergjencës por edhe nga ndërtimi i objektit të ri të spitalit që nuk ka mbaruar akoma. Nga këta kontenjerë qenët endacak po i bartin mbeturinat edhe brenda oborrit. Ne kemi kërkuar që këta kontenjerë të largohen, dhe për një kohë janë larguar mirëpo qytetarët prapë kanë hedhur mbeturina në atë vend dhe prapë jemi përballur me problemin e njejtë ”- tha Shabani për Llapi.info.
Se kontenjerët janë larguar për pak kohë nga ky vend e ka pohuar edhe drejtori i Kompanisë “Pastrimi”, Shaban Beselica, i cili ndër të tjera tha se nuk është përgjegjësi e kompanisë caktimi i lokacionit për vendosjen e kontenjerëve.
“Ne në bashkëpunim me Komunën i kemi larguar këta kontejerë prej aty, mirëpo qytetarët prapë kanë hedhur mbeturina në po të njejtin vend dhe për këtë arsye ata janë kthyer përsëri në atë vend. Zbrazja e këtyre kontenjerëve bëhet dy deri në tri herë brenda ditës mirëpo prap nuk është zgjidhur problemi i tyre. Përveç kësaj caktimi i lokacionit për vendosjen e kontenjerëve i takon Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe jo kompanisë sonë”, shtoi më tutje Beselica për Llapi.info.
Ndërsa, zyrtari për ambient në Komunën e Podujevës, Rizah Muçolli, tha se problemi nuk është vetëm te banorët e banesave afër emergjencës, por edhe te qytetarët e tjerë që vinë nga vendet tjera dhe hedhin mbeturina aty. Mirëpo, sipas tij me projektet që ka komuna për atë pjesë të qytetit do të zgjidhet ky problem.
“Projekti për banesa dhe për hapësirat e gjelbra pranë këtyre banesave pritet të bëhet sivjet. Me këtë projekt do të zgjidhet edhe problemi i këtyre kontenjerëve.”- tha Muçolli për Llapi.info.
Ndërsa sa i përketë pjesëve tjera të kësaj qendre, Drejtori Shabani tha se ka angazhuar edhe dy punëtorë shtesë për shkak se numri i punëtorëve teknik për mirëmbajtje është i vogel. Sipas tij këta dy punëtorë do të angazhohen edhe për mirëmbajtjen e ambulantave që janë në kuadër të QKMF-së./Llapi.info