Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka dënuar sulmin, që sipas raportimeve të para ishte vetëvrasës, në një qendër Qendër Regjistrimi të Votuesve në kryeqytetin e Afganistanit – Kabul, i cili mori jetën e më shumë se 31 personave dhe la të plagosur më shumë se 50 të tjerë.
“Jam i trishtuar dhe e dënoj me fjalët më të ashpra sulmin vetëvrasës ndaj turmës së njerëzve, përderisa ata po prisnin për tu regjistruar për votim, sulm ky, që sipas raportimeve të para mori jetën e më shumë se 31 njerëzve dhe la të plagosur më shumë se 50 të tjerë. Familjarëve të viktimave i dërgoj ngushëllimet më të sinqerta, ndërsa të plagosurve shërbim sa më të shpejtë. Ky ishte një sulm kundër vendosjes së Demokracisë, si vlerë e çmueshme e qeverisjes përmes votës së lirë. Kosova mbetet e vendosur në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit dhe do të punojë fuqishëm me shtetet aleate dhe partnere për ta parandaluar të keqen kudo dhe ndaj kujtdo që ajo mund të ndodh”, ka thënë Pacolli, shkruan Telegrafi.
Autoritetet afgane thonë se numri i personave të vrarë, pasi një sulmues shpërtheu eksplozivët jashtë një qendre për regjistrimin e votuesve në Kabul ka arritur në 31 dhe 54 të tjerë janë plagosur.