Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka njoftuar se shtrirja diplomatike e Kosovës tanimë ka ndodhur edhe në Karaibe.
Sipas tij, nga java që e lamë pas vendi ynë do ta ketë Ambasadoren e parë të akredituar edhe në Saint Kitts dhe Nevis.
Pacolli njoftoi se ky shtet, e njohu vendin tonë në vitin 2012 dhe që nga atëherë i ka dhënë mbështetje të vazhdueshme.
“Këto janë vetëm disa nga rezultatet e diplomacisë tonë pro-aktive, që po ndjekim çdo ditë dhe në çdo kontinent. Po i ri-gjallërojmë marrëdhëniet me shtetet që e kanë njohur Kosovën, përderisa po depërtojmë fuqishëm tek ato, që ende nuk e kanë bërë këtë. Nuk do të ndalemi”, ka shkruar ministri në facebook.