Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka reaguar ndaj lajmeve për shpenzimet e parave publike nga zyrtarët shtetëror. Pacolli përmes një postimi në “Facebook”, ka reaguar duke thënë që gjatë mandatit të kaluar ai nuk i ka shpenzuar asnjë cent shtetit të Kosovës, shkruan “Zëri.info”.
“Po lexoj prapë për disa “shpenzime” që gjoja unë paskam bërë gjatë mandatit të kaluar qeverisës (2011-2014). E vërteta është se unë gjatë asaj periudhë nuk i kam kushtuar asnjë cent shtetit të Kosovës”, ka shkruar Pacolli.
Ai tutje e pranon që ka fjetur në hotole të shtrenjta mirëpo thotë se ato i ka paguar me paratë e veta.
“Është e vërtetë që unë kam fjetur në hotele të shtrenjëta por ato i kam paguar me paratë e mia. Janë shumë qindra mijëra euro faktuara që janë paguar nga llogaritë e mia private në funksion të angazhimit tim për Republikën e Kosovës në cilësinë e zëvendëskryeministrit, në atë periudhë, duke mos kalkuluar shpënzimet e larta të mjetit tim të transportit”, ka vazhduar shkrimin e tij Pacolli.
Kryediplomati kosovar ka shtuar se me paratë e tij ai ka paguar edhe për delegacionin përcjellës dhe njerëzit që kanë lobuar për Kosovën.
“Madje, nga llogaritë e mia kam paguar edhe për delegacionin përcjellës dhe për njerëzit që kanë lobuar për interes të shtetit të Kosovës. Javën e ardhshme do të qartësohet qdo gjë edhe pse zonjen Jeta Xharra e kam ftuar të shkoj në Kryeministri për ti marrë të dhënat e çdo pagese (nëse ka ndonjë) që shteti ka bërë për mua dhe të distancohet nga dokumentacionet e manipuluara. Kjo do të ishte e drejtë dhe gazetarishtë korrekte. Edhe njëherë ju them se është turp çka jeni duke bërë më këtë qasje!!!”, ka përfunduar Pacolli.