Në një postim të tij, Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka kontestuar faturat e shpenzimeve në emër të tij të bëra nga buxheti i Kosovës.
“Po lexoj prapë për disa ‘shpenzime’ që gjoja unë paskam bërë gjatë mandatit të kaluar qeverisës (2011-2014). E vërteta është se unë gjatë asaj periudhe nuk i kam kushtuar asnjë cent shtetit të Kosovës. Është e vërtetë që unë kam fjetur në hotele të shtrenjta por ato i kam paguar me paratë e mia”, ka shkruar Pacolli.
Ai ka shtuar se ka qindra fatura që i ka paguar me paratë e tij.
“Janë shumë qindra mija euro faktuara që janë paguar nga llogaritë e mija private në funksion të angazhimit tim për Republikën e Kosovës në cilësinë e zëvendëskryeministrit, në atë periudhë, duke mos kalkuluar shpenzimet e larta të mjetit tim të transportit. Madje, nga llogaritë e mija kam paguar në shumë raste edhe për delegacionet por edhe për njerëzit që kanë lobuar për interes të shtetit të Kosovës. Javën e ardhshme do të qartësohet çdo gjë edhe pse zonjën Jeta Xharra e kam ftuar të shkoj në Kryeministri për t’i marrë të dhënat e çdo pagese (nëse ka ndonjë) që shteti ka bërë për mua dhe të distancohet nga dokumentacionet e manipuluara. Kjo do të ishte e drejtë dhe gazetarisht korrekte”, ka thënë ai.
Kallxo.com raportoi se Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, kishte paguar për dy ditë qëndrim në një hotel në Francë plotë 1 mijë e 274 euro me para të shtetit.
Ai kishte qëndruar në Paris me 28 tetor deri më 30 tetor 2011.
Fatura e hotelit për këto dy ditë qëndrimi në Paris, i kishte kushtuar shtetit 1 mijë e 274 apo 637 euro për një ditë/natë në hotelin “Raphael” në kryeqytetin francez.
Para Parisit ai kishte qëndruar edhe në kryeqytetin e Austrisë, në Vjenë. Aty Pacolli kishte qëndruar për 3 ditë, nga 23 tetori deri më 26 tetor dhe kishte paguar 530 euro apo 176 euro për një ditë/natë në hotel “Hilton”.
Kallxo.com ka tentuar të marrë një përgjigje nga kabineti i Pacollit për këtë udhëtim por megjithë pranimin e pyetjeve, këshilltari i tij Jetlir Zyberaj nuk ka kthyer përgjigje.