Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, ka ripërsëritur qëndrimet e tij se në tavolinën e bisedimeve në Bruksel, nuk do të hidhet propozimi për ndarjen e Kosovës.

Në një intervistë dhënë për “Danas” , Pacolli ka potencuar se ndarja e Kosovës nuk do ju konvenonte as vetë serbëve , transmeton lajmi.net.

“Kosova nuk ka asnjë këndvështrim në këtë çështje ngase nuk ka asnjë mundësi që propozimi për shkëmbim të territoreve të hidhet në tavolinën e bisedimeve. Ndarja e Kosovës nuk do t’i konvenonte as serbëve të cilët jetojnë në Kosovë. Zgjidhja më e mirë do të ishte që të shmangen territoret dhe kufinjtë kur flitet për marrëveshje”, ka thënë Pacolli.

Tutje, Pacolli në këtë intervistë ka folur edhe për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, për të cilin ka thënë se do të formohet gjithmonë në përputhje me marrëveshjet e Brukselit, mirëpo edhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Më vjen keq që pala serbe nuk është përfshirë në hartimin e draftit të këtij Asociacioni. Kosova nuk do të pranojë asgjë që do ta bënte jo efektikv shtetin e saj”, ka thënë Pacolli.

Kreu i diplomacisë kosovare foli edhe për gjendjen e shqiptarëve të Luginës, për të cilët tha se është e papranueshme që në zemër të Evropës, një komunitet vazhdon të përballet me vështirësi të tilla.

“Është detyrë e jona që këtë problem ta hedhim në tavolinën e diskutimeve. Ne jetojmë në një regjion ku komunitetet pakicë gëzojnë më së shumti të drejta, dhe kjo është shumë e civilizuar”, ka shtuar tutje Pacolli.

Pacolli po ashtu tha se çështja e dëmeve të luftës të shkaktuara nga shteti serb një ditë do të diskutohet dhe se duhet të gjendet edhe një zgjidhje për këtë temë.

Në fund, Pacolli tha se esenca e dialogut me Serbinë është arritja e fqinjësisë së mirë, dhe intensifikimi i bashkëpunimit mes dy vendeve.