Serbia sot i ka refuzuar kërkesën për të hyrë në Serbi si zëvendëskryeministër dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacollit.

Ministri Pacolli pas refuzimit të kërkesës i ka thënë lajmi.net se ishte kompetencë e shtetit serb që të mos i lejohet hyrja në Serbi, konkretisht në Novi Pazar ku ishte i ftuar për të marrë pjesë në një konferëcë.

Ai kujtoi se asnjëherë nuk do të veprojë si drejtori i të ashtuquajturës, Marko Gjuri që të përdorë rrugë alternative për të hyrë në Serbi.

“Nuk kanë dashur që unë të hyjë në territorin tyre dhe është në kompetencat e tyre. Unë nuk i lejojë vetës që të shkojë nëpër rrugë e rrugica atje dhe të mbërrijë në Serbi. Nuk kam nevojë të bëjë atë”, ka thënë ministri i Jashtëm.

Tutje, Pacolli thotë se tani e tutje do të ketë reciprocitet edhe për delegacionet e Serbisë kur kërkojnë të vijnë të bashkëkombësit e tyre në Kosovë.

“Ata më kanë refuzuar, normalisht që ne do të kërkojmë që të vihet njëfarë reciprociteti edhe për delegacionet e tyre që vijnë këtu në Kosovës që t’i vizitojnë bashkëkombësit e tyre, sepse edhe ne i kemi bashkëkombësit në anën tjetër të kufirit, andaj duhet të ekzistojë njefarë reciprociteti”, ka thënë ndër tjera ministri Pacolli për lajmi.net.

Ndryshe, sipas Radio Televizionit Serb (RTS), refuzimi i kërkesës së Pacollit ka ndodhur për shkak të kuadrit ligjor të përkohshëm të UNMIK-ut, ku thuhet se Kosova ka një ministri të punëve të jashtme, megjithatë, sipas një marrëveshje zyrtare për vizita ajo nuk mund të zbatohet në rastin e Pacollit.

Ndërkaq në një njoftim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, kur tregonte për refuzimin e kërkesës ndaj ministrit thuhej:

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës shpreh keqardhje dhe indinjatën e saj për vendimin e autoriteteve të Beogradit për të mos lejuar vizitën e Zëvendëskryeministrit të Parë dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli, në Novi Pazar.

Republika e Kosovës ka vepruar gjithmonë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit mbi vizitat e zyrtarëve të lartë dhe ka respektuar procedurat e kërkuara.

 Ky rast tregon përsëri se Beogradi nuk është i angazhuar të respektojë Marrëveshjet e Brukselit dhe shkakton tensione të panevojshme për të parandaluar vizitat e zyrtarëve të lartë të Kosovës në territorin e Serbisë.

Ne, sot jetojmë në shekullin, ku lëvizja e lirë e njerëzve është e drejtë fundamentale e njeriut dhe cdo shtet e Qeveri duhej ta respektoj atë. 
Kosova ka respektuar këto të drejta me përkushtim të madh dhe do t’i respektoj gjithmonë derisa mos të abuzohet me to, si në shumë raste që ka ndodhur në të kaluarën me mysafirët nga shteti fqinj verior.

Do të ishte e arsyeshme, që Kosova të mbajë të drejtën për masa reciproke kundërdrejt autoriteteve të Beogradit sipas Marrëveshjes së Brukselit, por ne i dedikohemi të drejtave fundamentale për lëvizjen e lirë të njerëzve përderisa ato mos të jenë qëllimkeqe.

Të rikujtojmë faktin se edhe vizitat e kosovarëve tek bashkëkombasit e tyre në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë duhet të vëhen në reciprocitet me vizitat e serbëve tek bashkëkombasit e tyre në Kosovë.​