Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka reaguar pas kalimit të propozimit nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje për pagesën e energjisë elektrike për katër komunat veriore në Kosovë.
Në një reagim për media, AAK thotë propozimi që shuma 11 milionë euro, të cilën duhet ta paguajnë shumica e qytetarëve të Kosovës, kaloi sot nga deputetët e Vetëvendosjes në Komisionin për Ekonomi lidhur me pagimin e rrymës për serbët në veri.
“Është e habitshme, që pas arritjes së pavarësimit energjetik, Qeveria e Kosovës të bie në shantazh të serbëve të veriut. Përpos dëmit financiar në buxhetin e vendit, i cili ndërtohet me djersën dhe kontributin e shumicës prej nesh, nga ky veprim, kemi një zinxhir të dëmeve të tjera”, thuhet në reagim.
AAK thekson se me këtë Kuvendi pajtohet që Republika e Kosovës, nuk ka potencial të jetë vend jo diskriminues e shtet i së drejtës dhe është shtet që inkurajon shkelësit e ligjit, ta keqpërdorin rrymën, duke e shfrytëzuar jo racionalisht dhe madje duke e shfrytëzuar me qëllime të dëmtimit të kapacitetit energjetik të vendit.
“Kjo pastaj rezulton edhe me blerjen e energjisë, kur ajo nuk mjafton, duke ndikuar në rritjen e kostos. Në momentin kur kemi procesin e Brukselit, kjo dëshmon që qeveria nuk ka kapacitet të zbatojë ligjin efektivisht në tërë territorin e Kosovës, e as të vazhdojë integrimin e pjesës veriore të saj. Ky është zhvillim i tmerrshëm, në një kohë pandemie, kur buxheti dhe ekonomia familjare e njerëzve që e duan Kosovën po sfidohen”, përfundon reagimi i AAK-së.