Kemi hulumtuar arkivat në Washington dhe Kosova kurrë nuk ka pohuar që ka pasur me shumë se 15.000 luftëtarë të UÇK-së. Është marramendëse se si numri i përfituesve, 20 vjet pas konfliktit, po rritet e nuk po zvogëlohet. Shkurt, nuk po del llogaria.

Kështu u shpreh para pak ditësh ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, i cili në mënyrë të mprehtë nisi kritika ndaj institucioneve të drejtësisë, po ashtu rreth numrit të madh të pretendimeve të veteranëve të rrejshëm. Ai kërkoi që të mos shpërfillet trajtimi i drejtë i kësaj çështjeje.

“Së pari, i kemi parë pretendimet për mashtrim të profilit të lartë nga ana e zyrtarëve të lartë publikë për miratimin e statusit të veteranit, duke filluar me 19.000 prej tyre të cilët, sipas të gjitha gjasave, nuk do të duhej të kualifikoheshin për përfitime. Kemi dëgjuar që disa parashtrues të kërkesës hapur kanë deklaruar se kanë qenë fëmijë në kohën e konfliktit ose që kanë pasur çështje shëndetësore që nuk kanë të bëjnë me luftë. E megjithatë, një numër i zyrtarëve prapëseprapë i miratoi kërkesat e tyre për përfitime, jashtë kritereve të ligjit. Ky është thelbi i këtij rasti: vendimmarrësit në pushtet që e shpërfillin ligjin”, ka thënë Delawie, transmeton Koha.net.

Ndërkaq, Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, në një prononcim për Koha.net tha se rasti i veteranëve të luftës ka shpërfaqur në Kosovë një skemë të mashtrimit ku të përfshirë janë pothuajse figurat më të larta politike dhe ushtarake në Kosovë.

“Përveç faktit të ngritjes enorme të numrit të veteranëve të luftës, keqpërdorimit të buxhetit të Kosovës që kalon shifrat prej 38 milionë eurove brenda vitit, ky rast po ashtu ka dëshmuar se sa i politizuar është Prokurori i Shtetit, se sa të fuqishëm janë individë të caktuar në pushtet, dhe çka është më e rëndësishmja është shpërfaqur kultura e pandëshkueshmërisë në Kosovë e instaluar zyrtarisht që nga koha kur në krye të zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit ka ardhur Aleksandër Lumezi”, tha Miftaraj.

Ai shprehet i bindur se trajtimi i këtij rasti në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe profesionale pothuajse është mision i pamundur derisa në krye të sistemit prokurorial janë persona që publikisht dihet se i shërbejnë politikës dhe grupeve të interesit.

“Reagimi dhe kërcënimet publike lidhur me këtë rast nga politika dhe nga vet krerët e sistemit prokurorial janë dëshmi se nuk ka vullnet për ta përfunduar këtë rast në bazë të ligjit”, tha ai.

Ish-prokurori Special, Elez Blakaj, që po merrej me hetimin e keqpërdorimeve me listat e veteranëve, pati thënë se dorëheqja e tij erdhi si pasojë e kërcënimeve dhe presioneve që kishte marrë herë pas here nga persona enigmatikë.

Miftaraj tha për Koha.net se si IKD ka analizuar strategjinë e Prokurorit Blakaj, lidhur me trajtimin e këtij rasti e që duket se është më e mira e mundshme në rrethanat aktuale.

“Në rast se do kishte gjykim të pavarur në këtë rast dhe brenda afateve ligjore, ky rast do të përfundonte brenda gjashtë muajve dhe nëse do kishim aktgjykim dënues, i tërë procesi do të shpallej i kundërligjshëm dhe me këtë edhe do të stopoheshin pagesat ndaj veteranëve të rrejshëm. Shteti pas kësaj do të kishte kohën e duhur që në procedura penale të zbardhte të vërtetën edhe ndaj personave përgjegjës për fryrjen e listave nëpër të shtatë regjionet e Kosovës sikurse në Procedurën civile, të fillonte kthimin e dëmit të shkaktuar nga veteranët e rrejshëm”, shtoi Miftaraj.

Kujtojmë se Prokuroria e Shtetit planifikon që të bëjë kërkesë për ndërprerjen e pensioneve për 19 mijë veteranët e rrejshëm posa aktakuza në rastin “Veterani i rrejshëm” nënshkruar nga Blakaj, të dorëzohet në gjykatë.

Ndonëse në Prishtinë u zhvilluan tashmë dy protesta ku u kërkua shkarkimi i kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, veting për sistemin e gjyqësorit dhe pastrimit të listave të veteranëve, edhe nesër, më 3 shtator nga ora 11:00, do mbahet një tjetër protestë por këtë herë nga vet veteranët e UÇK-së të “Brigadës 113 Mujë Krasniqi”. Ngjashëm edhe ata kërkojnë largimin e veteranëve të rremë nga lista e përfituesve të pensioneve, transmeton Koha.net.

Në ndërkohë, për rastin e veteranëve të rrejshëm, tërthorazi ka pranuar edhe Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, se në hetimin e tyre ka pasur ndërhyrje politike. Ndërkaq, Delawie gjatë ligjëratës që u mbajti studentëve të Juridikut, ku pikërisht foli edhe për çështjen e listave të fryra të veteranëve, u kërkoi politikanëve të bëjnë hap prapa ndërsa institucioneve të drejtësisë, një hap përpara.

“Shpërfillja apo vonesa e përhershme e rastit të pensioneve për veteranët e luftës dhe rastet e tjera që përfshijnë korrupsion serioz me shpejtësi do të zhbënin 10 vitet e fundit të përparimit. Por, në këtë pikë të kthimit, ka edhe një rrugë tjetër. Politikanët duhet t’ia garantojnë prokurorisë dhe gjyqësorit pavarësinë e tyre të ligjshme, pa frikësim e ndikim të pahijshëm, për ta ndjekur këtë rast dhe rastet e tjera të niveleve të larta – madje edhe nëse kjo nënkupton t’iu vihen pas personaliteteve të shquara”, ka thënë Delawie.