Republika e Kosovës është bërë vendi i parë në botë (sipas deklarimeve të MPB) me aplikacion mobil për patentë shofer, por mbetet e dyshimtë kostoja që shteti ka paguar për programimin e këtij aplikacioni.

Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë deklarime kundërthënëse. Fillimisht kanë thënë se “për shërbimin e aplikacionit për patentë shofer mobil nuk është paguar ndonjë kosto”. Por, tutje ata kanë thënë se aplikacioni është pjesë e kontratës për pasaporta, letërnjoftime, patentë shoferë dhe mirëmbajtjes së sistemeve të tyre. Këtë kontratë, MPB-ja e ka lidhur me kompaninë gjermane “Veridos”.

“Nuk ka pasur procedurë të prokurimit, pasi që në kontratën aktuale (e vitit 2016) janë të parapara dispozitat në të cilat parashihet që duhet të bëhen avancimet e nevojshme të sistemeve të aplikimit dhe prodhimit të dokumenteve si dhe të gjitha ndryshimet tjera të nevojshme me ndryshimin e infrastrukturës ligjore (për të qenë në përputhje me standardet e fundit ndërkombëtare dhe ndryshimet ligjore në Kosovë)”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur se kontrata të cilës i referohet MPB-ja është lidhur në vitin 2016 dhe ka një vlerë prej 19.8 milionë euro.

Sipas njoftimit për nënshkrimin e kësaj kontrate, kohëzgjatja e saj është 5 vjet dhe ka të bëjë me furnizimin me pasaporta, letërnjoftime, patentë shoferë dhe mirëmbajtje të sistemeve të tyre.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kërkuar qasje në kontratë që 19.8 milionë euro, për të parë se sa është shuma që shteti i Kosovës ka paguar për “avancime të sistemeve të aplikimit dhe prodhimit të dokumenteve”, ku bënë pjesë programimi i këtij aplikacioni për “E-Patentë Shofer”.

Në bazë të dokumenteve që ka siguruar Gazeta JnK nga MPB-ja, del që avancimi i sistemeve ku bën pjesë Aplikacioni për Patentë Shofer Mobil do t’i kushtojë buxhetit mbi 7.4 milionë euro.

Në kontratën që kalon 19.8 milionë euro rezulton se avancimi i sistemeve merr pjesë me rreth 38 për qind të shumës. Aty nuk ka shumë të dhëna se çfarë shërbime do të ofrohen për të cilat shteti do të paguajë 7.4 milionë euro.

Në pjesën e kontratës ku përfshihet “Mirëmbajtja dhe Avancime të sistemeve të aplikimit dhe prodhimit të dokumenteve” janë paraparë shërbime ndaj MPB-së për 60 muaj, aq sa zgjat edhe kontrata. Për mirëmbajtje dhe avancime për këto 60 muaj, shteti do të paguaj 7.4 milionë euro.

Në këto vite (2016-2025) janë 1,826 ditë, gjë që tregon se shuma e përgjithshme që e paguan MPB për këto shërbime është rreth 4,106 euro në ditë, të gjitha ditët kalendarike.

Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka dhënë shumë shpjegime se çfarë shërbime marrin nga kjo kompani për këtë nën-kriter.

“Mirëmbajte harduerike dhe softuerike për sistemet ekzistuese, aplikim dhe prodhim e dokumenteve, si edhe avancimet eventuale që dalin nga ndryshimet ligjore”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Edhe kompania “Veridos” i ka konfirmuar pohimet e Ministrisë, duke thënë se tek pjesa e mirëmbajtjes dhe avancimit është përfshirë edhe aplikacioni i ri.

“Kjo pjesë nuk lidhet me mallrat, por me shërbimet e mirëmbajtjes duke e përfshirë edhe mbështetjen vendore dhe avansimin të sistemeve ekzistuese, siç është patentë shoferi mobil”, ka thënë Zyra për Media e kompanisë “Veridos”.

Kosova do të jetë shteti parë në botë që e provon aplikacionin e patentë shoferit mobil. Të paktën kështu thuhet në ueb-faqen e kompanisë që e ka bërë aplikacionin. Aplikacioni do të mund të përdoret për Android 5.0 e më poshtë dhe iOS 9.X e më poshtë.

Ky aplikacion do të shërbejë njëjtë si patentë shoferi. Me fjalë të tjera, në qoftë se një polic trafiku e kërkon patentë shoferin, personi që është duke e drejtuar veturën, ia tregon zyrtarit telefonin ku e ka të hapur aplikacionin. Polici përmes QR-kodin (Kodi Matricor) me telefonin i merr të dhënat e ngasësit.

Në ueb-faqen e kompanisë gjermane janë dhënë detaje edhe për aktivizimin e aplikacionit.

“Përdoruesi, së pari, duhet ta shkarkojë aplikacionin nga Google Play Store (Android) apo nga Apple App Store (iOS). Së dyti, duhet ta regjistrojë patent shoferin te autoritetet. Më pas atyre u jepet një kod i aktivizimit, pas kësaj skanohet kodi i aktivizimit duke e përdorur “RKSmobileID” dhe duke përfituar nga vetitë e patent shoferit të ri mobil”, thuhet në faqen e Veridos. Zyra për Komunikim pranë MPB-së ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se qasje do të kenë të gjithë qytetarët që kanë patën-shofer fizik. Ndërsa, ka deklaruar se qendrat e regjistrimit janë duke i përditësuar të dhënat dhe se operatorët janë duke u trajnuar.

Patentë shoferi Elektronik ishte paraparë të lansohen me datën 3 prill, mirëpo i njëjti është lëshuar në përdorim vetëm në fillim të muajit qershor.

“Është planifikuar që nga 3 prilli 2018 e tutje që kodet e aktivizimit (d.m.th QR-Kodet të cilat duhet të skanohen nga mbajtësit e patentë shoferit për të aktivizuar aplikacionin) për Patent Shofer Mobil do të lëshohen për mbajtësit e interesuar të Patent Shoferëve, në qendrat e regjistrimit. Qytetari mund të marrë kodin e aktivizimit në këtë vizitë dhe do të aktivizohet pas konfirmimit të pagesës (taksës për të cilën do të caktohet në ditët ne vijim)”, ka thënë Zyra për komunikim e MPB për Gazetën Jeta në Kosovë.

Në MPB kanë thënë se zvarritja e lanësimit ka ardh për shkak të trajnimeve që janë mbajtur me zyrtarët policor për përdorim të këtij aplikacioni.

“(Trajnimet) janë duke u mbajtur dhe do të mbahen në të ardhmen, në vazhdimësi”, thuhet në përgjigjet e MPB-së. “Të gjithë zyrtarët që do të punojnë me këtë aplikacion do të trajnohen, aplikacioni është i ngjashëm me aplikacionin aktual për patentë shofer dhe vetëm disa sqarime të vogla duhet plotësuar.”

Fillimisht në MPB kanë thënë se çmimi i aplikacionit që do të paguajnë qytetarët do të jetë simbolik.

“Parashihet të jetë një kosto simbolike për të mbuluar shpenzimet mbështetëse të infrastrukturës. Ende nuk është miratuar taksa zyrtare”, ka shkruar në përgjigjen e Zyrës për Komunikim të MPB-së gjatë muajit prill.

Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, më herët — ditën kur u prezantua aplikacioni, kishte thënë se aplikacioni do të jetë funksional në fillim të muajit prill.

“Ky aplikacion fillimisht do të testohet brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërsa në ditët e para të muajit prill do të lëshohet për të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Sefaj më 23 shkurt në Facebook.

Aplikacioni që është lëshuar vetëm në fillim të muajit qershor do të jetë funksional vetëm në anglisht.

“Meqenëse është aplikacioni i parë në botë dhe për shkak të funksionalitetit me të mirë (zbatimit më të lehtë), fillimisht është paraparë që të jetë në gjuhen angleze (për të shmangur kompleksitetin gjatë përdorimit fillestar). Ende është në diskutim mundësia e përkrahjes së aplikacionit në gjuhet zyrtare”, ka thënë ministria për gazetën.