Rastet e mashtrimit të qytetarëve për pajisje me viza pune nuk janë të rralla. Një rast i tillë dyshohet se i ka ndodhur edhe një qytetari nga fshati Maxhunaj i Vushtrrisë, i cili ka dhënë qindra euro për një vizë pune, por ka mbetur pa para dhe pa vizë.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë njoftojnë se rasti dyshohet se ka ndodhur më 21 prill rreth orës 13:00, kur i dyshuari ( emër i njohur) ka mashtruar një 39 vjeçarin nga Maxhunaj se do t’ia rregullojë dokumentacionin për një vizë pune sllovene.

Burri nga fshati Maxhunaj, paraprakisht ia kishte paguar atij një shumë të hollash prej 517 eurosh dhe i kishte dhënë edhe letërnjoftimin.

Pas marrjes së të hollave dhe dokumenteve, i dyshuari më nuk ishte lajmëruar. Ankuesi nuk ka arritur t’i marrë ndonjë numër kontakti apo ndonjë të dhënë tjetër, përveç se ka njohuri që ai banon diku në Prishtinë.

Me urdhër të Prokurorit të shtetit rasti është iniciuar si “Mashtrim” dhe policia është vënë në ndjekje të personit që dyshohet për mashtrim me viza.