Me rastin e 20 vjetorit të çlirimit të Podujevës, është përuruar memoriali “Shqiponja” te rrethrrotullimi i rrugës Prishtinë – Merdare”, në Podujevë, njofton Llapi.info
Vendosja e simbolit kombëtar e ka propozuar dhe iniciuar këshilltari i VV-së, Florent Hasani, ndërsa është mundësuar nga biznesmeni, Muhamet Hasani.
Iniciuesi në Kuvendin e Podujevës, Florent Hasani, ka uruar të gjithë llapjanët me rastin e përurimit të simbolit kombëtar.
“Pas një periudhe të gjatë për një monument që ka vlerë të madhe, më në fund u përurua, ta gëzojnë të gjithë llapjanët. Ne sot e kemi monumentin e shqiponjës ta gëzojmë për vite, dekada e shekuj”, ka shtuar Hasani.
Ndërsa, biznesmeni i cili ka mundësuar ndërtimin, Muhamet Hasani ka thënë se simboli i përuruar sot ka vlerë të madhe.
“Më së pakti katër muaj na u është dashur me marrë leje prej Ministrisë së Infrastrukturës, pastaj edhe një muaj në ndërtim. Këtë ia kam dedikuar popullit, për mua është vlerë e madhe. Ka qenë e financuar nga unë”, ka deklaruar për medie Muhamet Hasani.
Në përurimin e kësaj shqiponje, i pranishëm ishte edhe gazetari Marin Mema, i cili tha se përulet para luftëtarëve që zgjodhën të luftojnë për lirinë.
“Dua të përulem para jush me shumë sinqeritet, të përulem për gjithë atë që keni kaluar ju dhe familjet tuaja. Për atë që kanë përballuar nënat, baballarët, gjyshërit. Përulem përball sakrificës së luftëtarëve, veprës së tyre, asaj vepre që nuk vdes kurrë. Kishte shumë prej tyre që mund të bënin një jetë komode, pa luftuar, por zgjodhën të luftojnë, të vdesin për kombin flamurin dhe gjakun e tyre”, ka thënë ai duke shtuar se ky monument simbolizon sakrificat.
“Ky monument simbolizon lotët, e nënave, baballarëve, fëmijëve që sot nuk kanë një varr ku të prehen. Që ende nuk dihet ku dergjen dhe s’jep askush përgjegjësi. Por simbolizon edhe të ardhmen që ne vet duhet ta ndërtojmë, sepse askush nuk na e ndërton. E ardhmja është forcimi i ekonomisë tonë kombëtare. Sot pasuritë e trojeve shqiptare grabiten, masakrohen. Sot po na ikin gjithë të rinjtë nga trojet shqiptare dhe kjo është e pafalshme. Duhet të dimë të ndërtojmë të gjithë të ardhmen”, ka thënë ai.
Në një fjalim rasti, komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa ka thënë se nuk lejuan ndarjen në kohën e luftës e nuk lejojnë as sot.
“Nuk ka ndjesi më të mirë se nën intonimin e flamurit kombëtar, të mblidhemi pranë monumentit të lirisë në promovimin e këtij memoriali. Në fund shekullin e kaluar Zoti e dhuroi për shqiptarët tri shkronja të arta UÇK. Të gjithë të mbledhur rreth saj, kush me armë e kush me ndihmë ne nuk lejuam ndarjen në atë kohë e nuk lejojmë as sot në liri. Shekulli 21 dekada e parë do të jetë fundi i armiqësive të shqiptarëve në rajon, të përkrahur nga NATO, SHBA dhe shtetet tjera, ne do të ndërtojmë një strategji të re që do të krijojë miqësi me të gjithë përreth dhe kjo shqiponjë që po zbulojmë sot do të fluturojë e lirë për rreth”, ka shtuar Mustafa. /Llapi.info